mtkrs_logo_al

"Ismail Kadare, një monument i gjallë i kulturës sonë kombëtare", fjalimi i ministrit Xhaferaj me rastin 75-vjetorit te lindjes

Një rast i veçantë, ditëlindja e 75-të e shkrimtarit të madh, është motivi që na bën bashkë në këtë institucion, tempull të dijes dhe kulturës kombëtare, për të kremtuar dhe vlerësuar personalitetin dhe veprën e një prej personaliteteve më të rëndësishme të letërsisë shqipe të të gjitha kohërave, Ismail Kadaresë.

Vepra e Ismail Kadaresë zë padyshim një hapësirë të rëndësishme në korpusin e gjerë të krijimtarisë letrare në Shqipëri, Ballkan, Evropë e më gjerë.  Emri i Kadaresë spikati në botën e letrave shqiptare dhe atë evropiane qe në fillimet e krijimtarisë së tij, veçanërisht kur botoi romanin e tij të parë Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, roman i cili për nga veçoritë e stilit, këndvështrimi, dhe fryma e kompozimit që e përshkon, daton një etapë të rëndësishme në zhvillimet e prozës romanore shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore. 

Me botimin e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kadareja ndikoi drejtpërsëdrejti në devijimin nga ideologjia e realizmit socialist, një ideologji qe formësohej në shërbim të interesave të asaj shtrese të shoqërisë që sundonte Shqipërinë e pasluftës. Me këtë vepër Kadareja tejkaloi konturet që sistemi totalitar kishte krijuar në art dhe letërsi.

Sot, Kadareja dhe vepra e tij, në tërësinë e saj, përbëjnë
 një dukuri letrare. Personazhet e veprave të tij enden në spiralet e një realiteti që nis nga kohët faraonike, vijon në periudhën antike, atë bizantine, më tej me sundimin e Perandorisë Osmane, Luftën e Parë dhe atë të Dytë Botërore, vendosjen e sistemit komunist e deri në ditët tona. Pra, nëpërmjet penës së Kadaresë, lexuesi depërton hap pas hapi në zanafillën e historisë njerëzore, në luftrat, pëpjekjet për mbijetesë, komplotet e ndryshme kundrejt pushtetit dhe në sfidat e përballjes me vetveten.

Në mbyllje unë do të thoja se, kultura evropiane dhe ajo botërore, nuk mund të quhet e plotë nëse nuk ka brenda saj kontributin e kulturave që vijnë nga vendet me një numër të kufizuar të popullsisë. Koha po na dëshmon se termi kultura të vogla apo kultura të mëdha po i përket të shkuarës. Sot Shqipëria dhe shqiptarët, ndjehen mirë me vlerat e pasura kulturore dhe shpirtërore që përcjell në gjuhë dhe në kultura të ndryshme, vepra e  shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare, i cili tashmë është shndërruar në një monumet të gjallë të kulturës sonë kombëtare.
 

Te Gjitha te Drejtat e Rezervuara. © 2010 Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve Rr. e Kavajës, Tiranë, Shqiperi, www.mtkrs.gov.al