
Më datë 26 janar 2011, nën kujdesin e Eurodeputetes Greke të grupit S&D znj. Maria Eleni KOPPA u shfaq në PE filmi "Honeymoons", një bashkëprodhim i parë Shqiptaro-Serb me regji të Goran Paskaljevic, shkruar nga Goran Paskaljevic dhe Genc Përmeti. Në këtë evenement morën pjesë një numër i madh eurodeputetësh të cilët mbulojnë dhe problematikat e Ballkanit përendimor në PE, por dhe Ambasadorë të vendeve të ndryshme anëtare të BE si dhe përfaqësuses nga Këshilli i BE dhe nga Komisioni Europian. Vendi ynë u përfaqësua nga Zëvendësministrja e TKRS znj. Suzana Turku, z. Arben Lami, Drejtor ekzekutiv i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, z. Genc Permeti, ko-autor dhe realizator i filmit si dhe Ambasadorja e RSH pranë BE znj. Mimoza Halimi. Ndërsa nga pala serbe mori pjesë Ministri i Kulturës z. Nebojsa Bradi si dhe Kryetarja e Parlamentit Serb znj. Slavica Djukic-Dejanovic në vizitë zyrtare në Bruksel.
Në fjalën e hapjes eurodeputetja znj. Koppa shprehu kënaqësinë e saj për realizimin e këtij projekti duke shpresuar që mesazhet e këtij filmi për paqe dhe mirëkuptim të jenë motivi i vendeve të rajonit në mënyrë që rruga e këtyre vendeve drejt Europës mos të jetë më një mit por një realitet, i prekshëm tashmë me liberalizimin e vizave për qytetarët e Ballkanit. Eurodeputetja znj. Koppa duke falenderuar bashkëproduktorët e filmit shprehu gadishmërinë e saj për të ndihmuar në promovimin e kulturës dhe vlerave të vendeve të Ballkanit në PE. Në fjalën e tyre përfaqësuesit nga vendi ynë znj. Turku dhe nga Serbia z. Bradi falenderuan eurodeputeten greke për mbështetjen mbi promovimin e filmit duke i kërkuar një vazhdimësi të këtij bashkëpunimi me qëllim vizibilitetin sa më të madh të Rajonit tonë në PE.
Ndër të tjera Znj.Turku tha se : ” Zhvillimet dhe proceset e integrimit në të gjitha fushat në Evropë kanë krijuar premisa të reja dhe mundësitë për rajonin tonë për të rritur, në një nivel më të lartë, bashkëpunimin dhe koordinimin.
Unë besoj fuqimisht se ndërtimi i politikave të përbashkëta kulturore në të ardhmen duke njohur dhe respektuar dallimet e njëri-tjetrit do të kontribuojë në proceset integruese në të gjitha nivelet..
Duke marrë në konsideratë kohën kur filmi është realizuar, ajo ngjall ëndrrat e shqiptarëve dhe serbëve drejt një botë të civilizuar evropiane, të lëvizjeve të lira ’, tha ndër të tjera znj.Turku.
Gjatë aktivitetit u shpërndanë materiale të ndryshme promovuese mbi Shqipërinë.