mtkrs_logo_al

Zv/Ministria Turku në Premierën e Filmit “Amnistia” të Bujar Alimanit

slide-image_prem-amnistia

Zv/Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Znj. Suzana Turku mori pjesë në premierën e filmit “Amnistia” me regji të Bujar Alimanit, i cili po vijon të shfaqet në rrjetin e kinemave ’Imperial” që prej datës 27 Maj. Gjatë takimit me aktorët, Znj. Turku i përgëzoi për punën pasi ky film përvec cmimeve kinematografike ka shënuar dhe një rekord për kohën tremujore të xhirimeve të tij në fund të muajit shtator 2010 në Tiranë dhe Pogradec.
Filmi “Amnistia” mbërrin në Shqipëri, pasi ka marrë një çmim në Berlinale, tre të tjera në Leçe si dhe ka marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar në Kopenhagen, Danimarkë.

“Amnistia” tregon një histori dashurie të ndaluar mes një burri dhe një gruaje, bashkëshortët e të cilëve vuajnë dënimin në burg. E ndërsa presin amnistinë, dy personazhet e filmit, të cilët e ndeshin njëri-tjetrin në ambientet përreth burgut, dashurohen. Një histori e cila lind në mënyrë të pazakontë dhe që nuk mund të ketë një fund të lumtur. “Protagonistët e historisë sime janë Elsa dhe Shpëtimi, njerëz si gjithë të tjerët që kam njohur në vendin tim. Njerëz që kërkojnë emocionet e vërteta në jetën e tyre të përditshme në një provincë që ndrydh ndjenjat e tyre. Janë njerëz që jetojnë në një Shqipëri që po ndryshon, që ndodhet në udhëkryq, pikërisht aty ku bashkohen e vjetra me të renë e të cilën kërkon ta kapërcejë për të gjetur rrugën drejt Europës”, tregon regjisori Bujar Alimani.

Regjisori ka përzgjedhur në rolet e këtij filmi aktorët Luli Bitri, Karafil Shena, Todi Llupi, Mirela Naska, Omer Hamitaj, Orest Arapaj etj. Neritan Zinxhiria dhe Elena Dhimitrakopoulou janë as/regjisorë të filmit, skenograf është Shpëtim Baça, ndërsa kostumografe Ermira Turkeshi.

“Amnistia” konkurroi në seksionin "International Forum" të Festivalit Ndërkombëtar të Berlinit, ku edhe fitoi një çmim me motivacionin e një shkrimi origjinal dhe një redaktimi që i lejon publikut të njihet hap pas hapi me personazhet kryesore dhe me ngjashmëritë me ta në jetën e tyre të përditshme. Filmi është prodhuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike me partnere Greqinë dhe Francën.

Te Gjitha te Drejtat e Rezervuara. © 2010 Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve Rr. e Kavajës, Tiranë, Shqiperi, www.mtkrs.gov.al