
Vitet e fundit po i jepet shumë prioritet zhvillimit të turizmit, nga të gjitha organet e pushtetit qëndror, lokal e nga komuniteti i biznesit, duke bërë promocion në drejtim të prurjeve turistike në vendin tonë. Një gjë e tillë po bëhet edhe me Operatorët turistikë Polakë të cilët nga viti në viti po e rrisin prezencën e tyre turistike në vendin tonë.
Mbi bazën e kërkesës dhe lobimit të palës shqiptare pranë organeve drejtuese të Dhomës së Turizmit Polak - PIT, është vendosur që nga data 12 tetor deri me 16 tetor 2011 të zhvillohet Mbledhja e Përgjithshme e Dhomës së Turizmit Polak me pjesëmarrjen e rreth 250 tur-operatorëve dhe mediave më të rëndësishme polake të fushës së turizmit.
Qëllimi për organizimin e këtij evenimenti turistik është që të shfrytëzojmë organizimin e Mbledhjes së Përgjithshme të Dhomës së Turizmit Polak – PIT- për të prezantuar mundësitë turistike më të mira në Shqipëri, në kuadër të Turizmit Rajonal, për tregun turistik Polak, në vecanti destinacionet për pushimet verore në Durrës,Vlorë, Sarandë, si dhe në qendrat e rëndësishme historike e kulturore psh, Krujë, Tiranë, Berat, Vlorë, Apolloni etj.
Në mbledhjen e sotme të Dhomës së Turizmit Polak, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z. Aldo Bumçi prezantoi potencialet turistike të vendit tonë duke u përqëndruar në 4 çështje kryesore.
1- Zhvillimi i turizmit bregdetar dhe atij malor.
2- Oferta turistike. Ministri Bumçi tha se megjithëse Shqipëria është vend i vogëlqë ofron një gamë të gjerë produktesh turistike.
3- Trashëgimia e pasur Kulturore dhe potenciali i saj në turizëm.
4- Mikpritja e rrënjosur në traditat tona shekullore & toleranca fetare.
Për këto arsye, shtoi Z. Bumçi, shumë agjensi prestigjoze botërore e kanë cilësuar Shqipërinë si destinacionin e parë për 2011-ën nën sloganin ‘’Shqipëria, sekreti i fundit i Europës”.
Organizimi i Mbledhjes së Përgjithshme të PIT në Shqipëri, në Durrës, nga data 12 deri në16 tetor, është një ndër evenimentet me të mëdha turistike të organizuara në vendin tonë gjatë këtyre viteve.
Një nga objektivat e palës polake është që brenda vitit 2012 - 2013, të arrijnë në rreth 100 mijë turistë në Shqipëri.