
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dhe AADF (Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i zhvillimit) organizuan në Parkun Kombëtar të Butrintit, ceremoninë e përurimit të sistemit elektronik të biletave. Të pranishëm në ceremoni, Ministri i TKRS-së, Z. Aldo Bumçi si dhe Ambasadori i SHBA-ve, Z. Alexandër A. Arvizu.
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi, ka shprehur kënaqësinë për praninë e Ambasadorit Amerikan Z. Arvizu, në përurimin e investimit në Parkun e Butrintit, që është kontribut i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, në bashkëpunim me MTKRS.
Investimi i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të zhvillimit në Butrint i cili është një lajm i shkëlqyer jo vetëm për Butrintin por për gjithë trashëgiminë tonë kulturore si dhe vendimi i qeverisë për menaxhimin e të ardhurave nga vetë parku janë disa nga treguesit të cilët do të bëjnë që Butrinti të kthehet në një nga parqet më të mirëmenaxhuar në Mesdhe, përfundoi fjalën e tij Ministri Bumçi.
Ndërsa Ambasadori Amerikan në Shqipëri, Z. Alexandër Arvizu, tha se Qeveria Amerikane ka qenë mjaft e përfshirë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën dhe për këtë, ai vlerësoi kontributin e dhënë nga ana e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit si në Butrint, edhe në të gjitha investimet që ai ka kryer në Shqipëri.
Sipas drejtorit të Parkut të Butrintit, Z. Rajmond Kola, vënia në funksionim e kësaj biletarie, që përdor sistemin elektronik të prerjes dhe kontrollit të biletës, jo vetëm që modernizon këtë shërbim dhe shkurton kohë, por mbyll edhe çdo mundësi spekullimi me biletarinë dhe të ardhurat e siguruara prej saj.
Parku Kombëtar i Butrintit është parku më i rëndësishëm në vend që po tërheq gjithnjë e më shumë interesin e vizitorëve, vecanërisht atyre të huaj.