
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin, Kryeministri i Shqipërisë Z. Sali Berisha, Kryetarja e Parlamentit Znj. Jozefina Topalli, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z.Aldo Bumçi, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Z. Lulzim Basha, Princ Leka, etj.
Skulptori i veprës është Kreshnik Xhiku. Shtatorja është vendosur në sheshin që krijohet nga kryqëzimi i Bulevardit “Zog I”, në fundin e tij, dhe rrugës “Reshit Petrela”, sot unaza e qytetit.
Shtatorja e Mbretit Zog I është 3 metra e lartë. Ajo është vendosur mbi një bazament/pedestal betoni me lartësi 2 metra të lartë nga sipërfaqja, veshur me mermer.
Komisioni përzgjedhës e konsideroi si një bocet që mbart vlerat më të mira artistike dhe shfaq premisat për një monument dinjitoz të figurës së Ahmet Zogut duke respektuar skulpturën e karakterit. Boceti vlerësohet për zgjidhjen e thjeshtë dhe elegante kompozicionale brenda një stili realist.