mtkrs_logo_al

Tryezë e rrumbullakët për nxitjen e leximit të letërsisë

slide_im_bumci-ne-tryezen-per-letersine

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z. Aldo Bumçi, organizoi një tryezë të rrumbullakët me shkrimtarë dhe studiues të letërsisë, me qëllim që politikat e MTKRS-së, të orientohen në mënyrë të tillë që të jenë sa më pranë interesave dhe misionit të komunitetit të shkrimtarëve dhe studiuesve, në dobi të gjenerimit dhe promovimit të kulturës së shkruar shqipe, kudo ku ajo lëvrohet dhe studiohet.

Ministri Bumçi u shpreh se financimet për librin zënë 20 % të buxhetit të kulturës dhe shtoi se ky takim duhet të fokusohet te autorët dhe te nxitja e leximit të letërsisë.

I pranishëm në takim, shkrimtari Zija Çela tha se MTKRS duhet të blejë disa shërbime për të nxitur leximin, por e rëndësishme sipas tij është dhe inisiativa private e shkrimtarëve. "Kërkojmë lexues, por një plagë tjetër është që kemi blerës, por që s’janë lexues", tha Zija Çela. Sipas Çelës, MTKRS duhet të zhvillojë mekanizma që ta orjentojën lexuesin drejt vlerave të vërteta dhe jo drejt zhurmave sezonale.
 
Ndërsa drejtori i Qëndrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi, bëri thirrje që të kthehet vëmendja te bibliotekat duke i shndërruar ato në një ambjent tërheqës dhe të kulturuar ku lexuesit, e sidomos fëmijët të njihen nga afër më autorët dhe veprat e tyre.

Një tjetër autor, Visar Zhiti theksoi se deri tani është bërë pak në drejtim të kujdesit për kulturën e gjuhës shqipe dhe promovimin e saj.

Dhurata Shehri ngriti një tjetër problem, se si mund të nxitet leximi kur nuk ka statistika se sa lexohet, çfarë lexohet, cilat grupmosha, etj.
"Propozimi im është inicimi i një studimi i cili nga një anketim të kthehet më pas në një diskutim lidhur me të dhënat për të kuptuar cila letërsi preferohet, cilat tema, autorët, etj", tha Shehri.
Mungesa e bashkëpunimit të MTKRS-së me Ministrinë e Arsimit është problemi tjetër që Shehri ngriti, duke shtuar se Politikat arsimore kanë çuar në këto të dhëna dhe duhen bërë politika të përbashkëta pasi edukata e leximit merret në shkollë.

Gjatë takimit, ku shkrimtarë të ndryshëm shprehën problemet e tyre, u fol edhe në lidhje me mungesën e një rrjeti revistash apo gazetash letrare, mungesa e librit në rrethe, mungesa e bibliotekave të mëdha në vend, mungesa e një katalogu të librave që botohen, etj.

Shkrimtari dhe përkthyesi Agron Tufa tha se rrjeti i revistave apo gazetave kulturore do të sillte një peisazh të tendencave letrare dhe se dinamizmi i leximit nuk mund të mendohet pa një rrjet të tillë.

Ndërsa Stefan Capaliku tha se shteti duhet të aplikojë bursa për shkrimtarët siç, ndodh në gjithë vendet e botës.

Disa nga çështjet e tjera që u diskutuan ishin dhe:

1) A ka përfunduar procesi i rehabilitimit të shkrimtarëve të anatemuar nga regjimi komunist dhe çfarë mund të bëhet më tej?

2) Përkrahja ndaj shkrimtarëve të rinj dhe prirjeve të reja që vihen re aktualisht në letërsinë bashkëkohore, nëpërmjet nismave dhe projekteve specifikë.

Të pranishëm në takim ishim edhe shkrimtarë si Amik Kasoruho i cili ngriti problemin e mungesës së kritikës letrare në letërsinë shqipe, Bardhyl Londo, Shpresa Vreto, Edmond Tupe, etj.

Te Gjitha te Drejtat e Rezervuara. © 2010 Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve Rr. e Kavajës, Tiranë, Shqiperi, www.mtkrs.gov.al