mtkrs_logo_al

Trashëgimia Materiale

Trashëgimia kulturore materiale është pasuri e brezave, detyrim madhor i tyre kundrejt së shkuarës dhe së ardhmes, vijimësi materiale e çdo kombi. Si e tillë, trashëgimia kulturore materiale është një sfidë e pareshtur përballë kujdesit kombëtar e ndërkombëtar, për të arritur gjurmët e gjeniut krjiues mbarëshekullorë dhe për ta përcjellë atë drejt së ardhmes, tek brezat e rinj.

Trashëgimia kulturore evropiane është një pasuri shumë e pasur me vlera të paimagjinueshme. Ajo përfshin vlera arkeoligjike, urbanistike, arkitekturore, historike dhe inxhinierike. Gjithashtu, përfshin edhe armë zjarri, prodhime artistike dhe sende të rralla që do t’i shtjellojmë më poshtë.

Në trashëgiminë kulturore materiale të luajtshme përfshihen të gjitha objektet e trashëgimisë kulturore me vlera të mëdha historike të cilat kanë lidhje me historinë e vendeve që i përkasin. Trashëgimia kulturore e luajtshme përfshin, ikonat, monedhat e vjetra, objektet etnografike, kostumet popullore, instrumentat muzikorë, statujat dhe çdo gjë tjetër e gjetur nga gërmimet arkeologjike, të cilat nisur nga vlerat e tyre historike ruhen në muze dhe arkiva, duke u mbrojtur me ligje të veçanta dhe duke ju nënshtruar gjithnjë restaurimit.

Në trashëgiminë kulturore materiale të paluajtshme përfshihen të gjitha objektet e ndërtuara si Kala, Kështjellat, Qytete Antike, Parqe Arkeologjike, Rrënoja Antike si dhe objektet e kultit si Kishat, Katedralet, Manastiret, Teqetë, vendet e shenjta, etj. Gjithashtu në të përfshihen:

a). qendra, zona dhe rajone, të banuara ose të pabanuara, me vlerë arkeologjike, historike, etnologjike, arkitektonike dhe inxhinierike. Të tilla vlerësohen edhe objektet e kësaj natyre në gjendje rrënoje, me vjetërsi mbi 100-vjeçare.
b). ansamblet urbane, arkitektonike dhe historike, ndërtimore ose konstruksione ndërtimore me vlera të veçanta. Të tilla janë objektet e kësaj natyre në gjendje rrënoje, me vjetërsi mbi 100-vjeçare

Në veprat e trashëgimisë kulturore materiale të luajtshme përfshihen ikonat, ikonastase, pikturat, afresket, statujat, fotografitë e vjetra, piktura murale, gurë varresh, mbishkrime, objektet prej balte si qypa, gota, etj, objektet prej druri, prej metali, etj. Gjithashtu në të përfshihen :

a). materiali i lëvizshëm arkeologjik, që del nga gërmimet arkeologjike, grumbullohen nga gjurmimet arkeologjike, ose vjen si gjetje rastësore apo ruhet në koleksionet ose fonde të tjera të ndryshme.
b). krijime artistike të të gjitha llojeve dhe gjinive. Këtu nuk përfshihen krijimet e autorëve të gjallë.
c). dokumente arkivore me rëndësi historike kombëtare.
d). dorëshkrime dhe botime, libra dhe periodikë me vlera të veçanta, historike dhe bibliografike.
e). koleksionet e ndryshme filatelike, numizmatike të artit, me vjetërsi mbi 25 vjeçare.
ë). pajisjet tradicionale pune, mjeshtërie dhe jetese. Mekanizmat, makineritë ose objektet të përdorimit të përditshëm ose ceremonial, me vlera artizanale, etnografike ose historike, objektet e prodhuara në mënyrë artizanale, me vjetërsi mbi 50-vjeçare dhe objektet e fabrikuara me vjetërsi mbi 75-vjeçare.
f). teknologji të prodhimit të produkteve të traditës.
g). armët e ftofta dhe të zjarrit, të prodhimit artizanal ose të fabrikuara përpara fillimit të Luftës së Dytë Botërore.
gj). objekte personale të figurave të shquara historike.

Gjithashtu në trashëgiminë kulturore materiale të luajtshme përfshihen edhe objektet etnografike si djepet, veshjet e ndryshme, orendi shtëpijake, kostumet popullore, instrumentat popullor, shtroje të ndryshme si psh. qilima, mbulesa krevatesh, etj., me vlera të herëshme historike.

Historia e praktikave të fotografisë artistike është shumë e vjetër, një nga arkivat më të vjetra në Evropë është Fototeka Kombëtare “Marubi” në Shkodër e cila përmban mijra negative që prej vitit 1919. Për njohjen dhe promovimin e fotografive artistike të gjitha fototekat e Evropës organizojnë ekspozita dhe botime të ndryshme si brenda vendeve të tyre ashtu edhe në vende të ndryshme të Evropës e më gjerë.

Rëndësia e ruajtjes së trashëgimisë kulturore e natyrore, është një akt qytetërues i një populli dhe ka rrënjë të thella historike. Monumentet e kulturës dhe ato natyrore kanë vuajtur dhe vuajnë nga efektet shkatërruese të dukurive natyrore, por edhe nga ndërhyrjet shkatërruese të njeriut.

Për mbrojtjen e kësaj trashëgimie çdo vend evropian ka ngritur mjaft institucione të cilat me ligje të përcaktuara mbrojnë, ruajnë, restaurojnë dhe promovojnë këtë kulturë të cilat janë Muzetë, Arkivat, Institutet e Monumenteve të Kulturës, Institucionet e restaurimit dhe mbrojtjes së monumenteve, Institucionet e Arkeologjisë që merren me gërmimet arkeologjike si dhe Institucionet e Katalogimit dhe dixhitalizimit të pasurisë kulturore të çdo vendi.

Nisur nga sa më sipër përmirësimi i pandërprerë i legjislacionit për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore materiale të luajtshme dhe të paluajtshme është synimi kryesor i çdo vendi evropian, pra duke sjellë standartet më të larta legjislative që rregullojnë marrëdhëniet monumenteve, shtetit dhe komuniteteve, marrëdhënieve që deri tani nuk kanë qënë të strukturuara siç duhet për sa i përket përgjegjësive dhe përfitimeve. Legjislacioni perfekt kombëtar e ndërkombëtar, është arma thelbësore në rregullimin e të gjitha anomalive në drejtim të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore materiale dhe të ruajtjes së identitetit kombëtar të çdo vendi evropian.

Një punë e madhe del, përveç propagandimit të trashëgimisë kulturore materiale të çdo vendi dhe asaj evropiane, veprimtaria e gjerë edukuese lidhur me vlerat historike të kësaj, duke e pare si prioritet, duke përfshirë të gjitha mekanizmat edukuese e shkencore kombëtare e ndërkombëtare.

Te Gjitha te Drejtat e Rezervuara. © 2010 Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve Rr. e Kavajës, Tiranë, Shqiperi, www.mtkrs.gov.al