Me qëllim krijimin e sa më shumë hapësirave pjesëmarrëse dhe për më shumë kreativitet të të rinjve pjesëmarrës në konkursin e fotografisë që MTKRS organizon për herë të parë në vitin 2012, ju njohim me disa ndryshime të fundit.
Shtyhet afati i fundit i dorëzimeve të punëve artistike për konkursin e fotografisë “Emocion përmes Fotografisë”, që zhvillohet pranë MTKRS. Afati do të jetë deri më 15 Shtator 2012. Gjithashtu ju bëjmë me dije për disa ndryshime në lidhje me kriteret e pjesëmarrjes në këtë konkurs si më poshtë vijon.
Konkursi Kombëtar i Fotografisë, me titull “Emocion përmes fotografisë”
Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve në kuadrin e krijimit të Fondit Publik për artistët e rinj për vitin 2012, do të organizojë për herë të parë Konkursin Kombëtar të Fotografisë, me titull “
Emocion përmes fotografisë”.
Edicioni i parë i këtij projekti do të trajtohet në formën e një konkursi të hapur për të gjithë ata persona që praktikojnë artin e fotografisë si profesionistë ose jo, me qëllim gjithë përfshirjen dhe krijimin e një klime bashkëpunuese dhe shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet pjesëmarrësve. Pas shpalljes ky konkurs do të ketë zhvillimin e tij nëpërmjet fazave të prezantimit dhe promovimit të pjesëmarrëve nëpërmjet hapjes së ekspozitave në disa qytete të vendit si dhe botimit të katalogut me fotot më të mira pjesëmarrëse. Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve do të vlerësojë me 2 çmime fituesit sipas tematikës përkatëse, në vlerën 150.000 lekë për secilin çmim.
Tematikat në të cilat do të fokusohen pjesëmarrësit në këtë konkurs do të jenë si më poshtë:
• Foto sociale
• Shqipëria Turistike
Fituesit do të përzgjidhen nga një juri e cila do të përbëhet nga emra të afirmuar në fushën e fotografisë dhe kritikës së artit. Fondi publik për artistët e rinj në fotografi do të synojë evidentimin dhe përkrahjen e artistëve të rinj që kanë pasion artin e fotografisë. Pjesëmarrja e artistëve të rinj dhe të apasionuarve në këtë art do të jetë shumë e rëndësishme, në suksesin e këtij aktiviteti si dhe në ecurinë e tij.
KRITERET ADMINISTRATIVE PËR PRANIMIN E PJESËMARRËSËVE NË FONDIN E ARTISTËVE TË RINJ NË FOTOGRAFI JANË:
1. Të paraqesin pranë MTKRS, (zyra e protokollit) dosjen personale me të dhënat:
• foto-kopje të diplomës (në rast se ka)
• kërkesë për marrje pjesë në Fondin Publik te Artistëve të Rinj fotograf që do të zhvillohet në periudhën Qershor – Nëntor 2012
• fotokopje e pasaportës
• curriculum vitae me të gjitha pjesëmarrjet e mundëshme në konkurse, ekspozita, apo projekte me fokus fotografinë . (ne rast se ka)
2. Mosha deri më 35 vjeç.
KUSHTET TEKNIKE PJESËMARRËSE PËR FONDIN E ARTISTËVE TË RINJ NË FOTOGRAFI JANË:
1. Konkursi është i hapur për artistë, fotografë dhe studentë shqiptarë deri në moshën 35 vjeç.
2. Në konkurs pjesëmarrësit mund të marrin pjesë individualisht ose në grup.
3. Fotografia mund të jetë bardhë e zi ose me ngjyra.
4. Cdo pjesëmarrës, individ ose grup, nuk mund të dorëzojë më shumë se tre fotografi.
5. Fotografitë duhet të jenë të printuara në letër fotografike, në formatin landscape ose portrait.
6. Formati i fotografisë nuk mund të jetë më i vogël se 30x45 cm dhe jo më i madh se 90x60 cm.
7. Fotografitë
duhet të jenë të kornizuara.
8. Kornizat
duhet të jenë me xham përpara dhe suport nga prapa.
9. Kornizat duhet të jenë të sigurta teknikisht.
10. Artisti, grupi apo studio duhet të dorëzojnë bashkë me foton konkuruese, një CV të plotë të artistit, grupit të artistëve, apo studios dhe një foto personale. ( ne rast se ka) Ky dokumentacion është i vlefshëm për punën dhe diskutimet e Jurisë si dhe për arkivën e ngjarjes.
11.MTKRS, është institucioni ku do të organizohet konkursi dhe procedura e përzgjedhjes së fotove fituese si dhe shpallja e fituesve.
12.
Fotot pjesëmarrëse do të dorëzohen në MTKRS, deri me datë 15 Shtator 2012.
13. Dorëzimi dhe rregjistrimi i fotove pjesëmarrëse bëhet në MTKRS, Rruga e Kavajës, nr. 4 Tiranë. Numri i kontaktit në MTKRS tel: 04 222 57 75 ( Drejtoria e Artit)
14. Afati i fundit i dorëzimit të fotove konkuruese nuk duhet të shkelet nga artistët. Pas kësaj date asnjë foto nuk do të pranohet.
15. Me datë 24-25 Shtator 2012 Juria e Konkursit, e aprovuar nga MTKRS, do të bëjë përzgjedhjen e fotove fituese.
16. Më datë 26 Shtator 2012 do të bëhet shpallja e fituesve nga MTKRS.
17. Ekspozitat në qytetet e tjera jashtë Tiranës do të zhvillohen përgjatë muajve Tetor- Nëntor 2012.