mtkrs_logo_al

Shpallje konkursi për realizimin në skulpturë të veprës monumentale kushtuar “100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar: 28 nëntor 1912 – 28 nëntor 2012”


Sot, më datë  23. 12. 2011,  në mbështetje të Urdhrit  të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Nr. 289 , datë  22.12. 2011   për “Shpallje konkursi për realizimin në skulpturë të veprës monumentale kushtuar “100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar:  28 nëntor 1912 – 28 nëntor 2012”.

Shpallet

Konkursi Ndërkombëtar për realizimin në skulpturë të veprës monumentale kushtuar “100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar : 28 nëntor 1912 – 28 nëntor 2012”.

A. Kushtet pjesëmarrëse në konkurs janë:

1. Vepra monumentale mendohet të jetë e përmasave të mëdha. Përmasat e sakta të veprës do të jepen në momentin e përcaktimit përfundimtar të sheshit në të cilin do të vendoset ky monument në qytetin e Tiranës.
2. Lartësia, gjerësia dhe gjatësia e veprës monumentale do të jenë në varësi të modelit që do të paraqesë artisti, grupe artistësh apo studio skulpture, të cilat duhet të marrin në konsideratë të dhënat e përmasave të sheshit në të cilin do të vendoset vepra.
3. Pas aprovimit të bocetit, realizimi i veprës monumentale mund të jetë në këto materiale të forta si: i derdhur në bronz apo beton, i gdhendur në gur ose mermer si dhe në teknika të tjera të përziera. Kjo do të varet nga ideja dhe modeli konkurrues fitues i artistit, grupe artistësh apo studio skulpture.
4. Në këtë konkurs kanë të drejtë të marrin pjesë artistë dhe arkitektë shqiptarë kudo që jetojnë dhe punojnë, artistë dhe arkitektë të huaj, studio skulpture shqiptare dhe te huaja.  
5. Modeli i konkurrimit (boceti) nuk duhet të ketë qenë pjesëmarrës apo të jetë ekspozuar në asnjë veprimtari tjetër të mëparshme. Ai duhet te jetë ekskluzivisht origjinal dhe i krijuar për herë të parë, enkas për këtë konkurs
6. Modeli i konkurrimit (boceti) duhet të jetë shprehje artistike e realizuar me profesionalizëm dhe imazhi i tij duhet të përmbajë qartë qëllimin dhe destinacionin e përjetësimit të këtij fenomeni historik : pra “ Përkujtimin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shtetit Shqiptar.”
7. Modeli i konkurrimit ( boceli) duhet të jetë i realizuar në përmasën deri në 100 cm lartësi.
8. Çdo artist, grup artistësh dhe studio skulpture mund të marrë pjesë në konkurs me një ose dy modele konkurrimi (bocete) dhe jo më shumë se dy të tilla.  
9. Bazamenti është element figurativ që do të përcaktohet nga ideja e artistit, e grup artistësh apo studios së skulpturës, i cili do të propozohet së bashku me modelin konkurrues  (bocetin) dhe do të marrë aprovimin nga juria e këtij konkursi.
10. Modeli konkurrues (boceti) duhet të jetë i realizuar në materialin allçi.
11. Artisti, grup artistësh apo studio e skulpturës duhet të dorëzojë së bashku me modelin konkurrues (boceti) një foto të modelit konkurrues, CV të plotë dhe një foto personale. Ky dokumentacion është i vlefshëm për punën dhe diskutimet e Jurisë si dhe për arkivimin e këtij fakti historik në dosjen e artistit apo grupit të artistëve fitues.
12. Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë është institucioni ku do të organizohet konkursi ndërkombëtar dhe procedura e punës së përzgjedhjes së modelit konkurrues (bocetit) për realizimin e veprës monumentale.
13. Modelet konkurruese do të dorëzohen në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, pranë Sektorit të Arkiv Dokumentacionit nga data 27 shkurt – 15 mars 2012. Për rastet e dërgimit nga jashtë duhet të përdoret adresa. Konkursi për Monumentin 2012. Galeria Kombëtare e Arteve. Bulevardi Dëshmorët e Kombit Nr 1. Tirana 1001. Albania. Numri i kontaktit në GKA është tel: 0035542226033. Personi i Kontaktit për marrjen në dorëzim të Boceteve apo kolipostave : Znj. Malva Tasho. 
14. Afati i fundit i dorëzimit të modeleve konkurrues (boceteve) nuk duhet të shkelet nga artistët. Pas kësaj date asnjë i tillë nuk do të pranohet.
15. Ekspozimi i modele konkurrues (boceteve) do të bëhet në një nga sallat e GKA.
16. Shpallja e fituesit të Konkursit do të realizohet nga Juria e Konkursit në datë ( 22 mars ) në mjediset e GKA, Tiranë.
17. Nga datat ( 27 mars - 7 prill)  të gjitha modelet konkurruese jo fituese (bocetet) duhet të tërhiqen prej artistëve pjesëmarrës nga mjediset e GKA. Mos tërheqja e tyre në kohën e përcaktuar, e kushtëzon GKA Tiranë të mos ketë asnjë përgjegjësi ndaj tyre.
18. Në rast se modelet konkurruese jo fituese (bocetet) nuk do të tërhiqen brenda 5 ditësh nga afati i fundit, GKA do të kryej asgjësimin e tyre.
19. Me përfundimin e konkursit dhe pas shpalljes së modelit konkurrues fitues (bocetit), ndërmjet artistit, grupit të artistëve apo studios së skulpturës dhe MTKRS, lidhet një kontratë akt-marrëveshjeje për pagesën, kushtet dhe kohën e përfundimit të monumentit.
20. Kur modeli konkurrues fitues i takon një artisti, ai ka te drejtën e zgjedhjes  së një grupi skulptorësh ( 2 ose 3 ) në varësi të projektit. Kjo pikë do të përcaktohet më qartë në kontratën e lidhur mes tij dhe GKA. 
21. Mjedisi ku do të realizohet vepra monumentale do të përcaktohet nga QRVA përmes aprovimit të MTKRS.

B. Juria dhe funksionet e saj:

1. Juria e konkursit është ndërkombëtare. Ajo përbëhet gjithsej nga 9 anëtarë shqiptarë dhe të huaj.
2. Juria e konkursit miratohet nga Ministri MTKRS.
3. Juria  ndjek realizimin e veprës monumentale deri në përfundimin e saj duke u mbledhur në takime të përkohshme zyrtare deri në tre herë.
4. Çdo anëtar jurie mund të vizitojë artistin në çdo herë që ai e shikon të arsyeshme.
5. Juria mblidhet në takim zyrtar të jashtëzakonshëm kur ajo vëren se vepra monumentale ka devijuar nga modeli konkurrues fitues.
6. Juria dëshmon realizimin cilësor të saj dhe aprovon me një vendim përfundimtar të sigluar fillimin e derdhjes në materialin e bronzit apo betonit.
7. Juria në rastin kur vepra është në material gdhendës (gur apo mermer) e ndjek realizimin e veprës monumentale hap pas hapi, përmes takimeve të saj të përkohshme deri na katër herë.
8. Koha e vendosjes së monumentit duhet të përmbushet deri në datën e inaugurimit 28 nëntor 2012 
9. MTKRS ngre në funksion të ndjekjes së punimeve të kësaj vepre monumentale një ekip monitorues sipas vlerësimit të saj.
10. Për realizimin e monumentit “100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar me 28 nëntor 1912 – 28 nëntor 2012”, MTKRS do të vendosë në dispozicion të artistit fitues një vlerë financiare e cila do të bëhet publike përgjatë vitit fiskal 2012.


Shkarkoni versionin anglisht te njoftimit:

Announcement for international competition

Te Gjitha te Drejtat e Rezervuara. © 2010 Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve Rr. e Kavajës, Tiranë, Shqiperi, www.mtkrs.gov.al