
Agjensia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim është një nga partnerët kryesorë të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për realizimin e projekteve të ndryshme, kryesisht në fushën e trashëgimisë kulturore.
Sot në xhaminë e Kalasë së Prezës me praninë edhe të ministrit të TKRS-së Z. Aldo Bumçi, koordinatorit të TIKA-s Z. Jahja Gylseven, këshilltarit të Kryeministrit për trashëgiminë Z. Neritan Ceka etj, u prezantua projekti i Restaurimit të 5 Monumenteve Kulturore, i cili renditet si ndër projektet më të rëndësishëm që TİKA ka realizuar në Shqipëri.
Xhamitë e para të përzgjedhura për t’iu nënshtruar restaurimit janë: xhamia në Kalanë e Prezës, xhamia në Pazarin e Krujës, xhamia e Nazireshesë në Elbasan, xhamia e Plumbit në Berat dhe xhamia e Iljaz Bej Mirahorit në Korçë. Kosto totale e realizimit të 5 projekteve është rreth 4 milion euro.
Ministri Bumçi gjatë fjalës së rastit u shpreh se restaurimi i 5 xhamive është vetëm faza e parë e projektit pasi në bashkëpunim më TIKA-n është rënë dakord edhe për një fazë të dytë e cila do të përfshijë monumente të tjera kulturore. Preza, shtoi më tej Ministri është shembull i qartë i vënies së trashëgimisë kulturorë në funksion të turizmit, duke e cituar gjithashtu Kalanë e Prezës si një nga monumentet e para ku është aplikuar procesi i rijetëzimit.
Agjensia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) operon në Shqipëri që prej vitit 1992, ndërkohë që zyrtarisht zyra e koordinimit në Tiranë është hapur në vitin 1996. Ndihma e TIKA-s është shtrirë në turizëm, kulturë, media etj. Gjithashtu me fondet e TIKA-s në Shqipëri janë rehabilituar ujësjellësa, kopshte e shkolla, janë siguruar aparatura moderne për shume spitale, janë trajnuar mjekë, etj.