mtkrs_logo_al

Presidenti i FIA-s Zhan Tod viziton Tiranën

news_im_presidenti_fia_min_bumci

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Z.Aldo Bumçi priti sot në një takim Presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit ( FIA), Z. Jean Todt.

Viti 2011 është i rëndësishëm për sigurinë në  rrugë dhe Z. Todt vjen në Shqipëri për lançimin e Dekadës së Veprimit për Sigurinë Rrugore 2011-2020 e cila ka për qëllim kryesor shpëtimin e miliona jetëve në mbarë botën. Gjatë muajit Nëntor 2009, u mbajt për herë të parë në Moskë Konferenca Ndërministrore Globale mbi sigurinë në rrugë (me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Bankës Botërore dhe sigurisht FIA-s). Si konkluzion i këtij takimi në Maj të vitit 2010 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë mbi sigurinë rrugore (rezoluta 64/255, mbi përmirësimin global të sigurisë në rrugë).

Ministri i TKRS-së, Z. Aldo Bumçi tha se në të ardhmen do të mbështesim projektet e kësaj Federate në Shqipëri duke i vënë aktivitete të tilla në funksion të promovimit të turizmit.

Gjatë vitit 2011 FIA dhe shumë klube në mbarë botën janë angazhuar në promovimin e Dekadës së Sigurisë Rrugore përmes iniciativave dhe fushatave të ndryshme sensibilizuese me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA), është organi botëror qeverisës për sportin motorik në botë dhe federata e organizatave motorike më prestigjioze në botë. FIA është themeluar në 1914, me qendër në Paris si një organizëm jo fitim prurës. Ajo mbledh së bashku 227 organizma kombëtare sportive dhe motorike nga 132 vende në të 5 kontinentet ku përfshihet edhe Shqipëria me Automobile Club Albania dhe Federatën Shqiptare të Sporteve të Automobilizmit. Klubet anëtar të FIA-s përfaqësojnë miliona motoristë (drejtues mjetesh) dhe familjet e tyre.

FIA është e përkushtuar të përfaqësojë të drejtat e organizmave motorik dhe përdoruesve të automobilit në mbarë botën përmes fushatave dhe aktiviteteve që mbrojnë interesat e tyre. Për çështje si siguria rrugore, mobiliteti, mbrojtja e ambientit dhe e konsumatorit FIA promovon në mënyrë aktive interesat e motoristëve në Kombet e Bashkuara, Bashkimin Europian dhe përmes organizmave të tjerë ndërkombëtarë.

FIA është organizmi qeverisës për motor sportin në mbarë botën. Ajo administron rregullat dhe rregulloret për të gjithë disiplinat e sportit katër-rrotak duke përfshirë dhe Kampionatin Botëror FIA Formula 1, Kampionatin Botëror Rrally dhe Kampionatin Botëror Touring.


Te Gjitha te Drejtat e Rezervuara. © 2010 Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve Rr. e Kavajës, Tiranë, Shqiperi, www.mtkrs.gov.al