Projekti u bë i mundur nëpërmjet një marrëveshjeje të përbashkët midis TIKA’s, MTKRS dhe Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Fondi për ngritjen e kësaj njësie të re u mundësua nga TIKA, në kuadër të bashkëpunimit afatgjatë që ka me MTKRS në fushën e Turizmit dhe të Trashëgimisë Kulturore. Aktualisht, kostoja për ngritjen e kësaj pike është rreth 60,000 euro, ku përfshihet design, prodhimi, instalimi, botimi i materialeve promocionale, asistenca teknike, etj.
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Z. Aldo Bumçi tha se kjo është një zyrë moderne që plotëson të gjitha funksionet e nevojshme për turistët. Aeroporti ‘Nënë Tereza’ është porta kryesore e Shqipërisë ku numri i turistëve ka pasur rritje nga viti në vit ndaj ne gjykuam që duhet ta ndërmarrim këtë hap për të ngritur këtë zyrë, tha Bumçi. Ai tha gjithashtu se një zyrë tjetër informacioni turistik do të hapet edhe në Portin e Durrësit, një tjetër portë hyrëse e rëndësishme për Shqipërinë.
I pranishëm në inagurim ishte edhe Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Hasan S. Asan i cili e konsideroi Zyrën për Informacionin Turistik të rëndësishme për turizmin shqiptar.
TIKA ka ofruar mbështetjen e saj kryesisht në Trashëgiminë Kulturore, ku aktualisht mund të përmendim projektin për rehabilitimin e 5 xhamive, monumente kulture në Shqipëri, me një vlerë prej rreth 4 milionë Euro, mbështetjen me pajisje logjistike për Zyrën e Shërbimit Arkeologjik, mbështetjen ndaj Bibliotekës Kombëtare, etj.
Pika e Informacionit Turistik është ngritur brenda hollit të pritjes së pasagjerëve të Aeroportit. Ajo do të administrohet nga Zyra e Shërbimit Turistik, në të cilën do të ofrohen shërbime si dhe informacion të detajuar lidhur me destinacionet turistike në vend.