mtkrs_logo_al 

Ministri i TKRS-së, Z. Aldo Bumçi priti sot Ministrin e Rinisë dhe Sporteve të Azerbajxhanit, Z.Azad Rahimov

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z. Aldo Bumçi priti  Ministrin e Rinisë dhe Sporteve të Azerbajxhanit Z. Azad Rahimov i cili shoqërohej nga Z. Rahman Mustafayev,  Ambasador i Republikës së Azerbajxhanit në Shqipëri.

Qëllimi i vizitës ishte nënshkrimi i programit të bashkëpunimit në fushën e rinisë dhe sporteve midis Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Azerbajxhanit për vitet 2013-2015.

Nënshkrimi i këtij Programi vjen pas nënshkrimit në 29 nëntor 2012 të marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe turizmit gjatë vizitës zyrtare të Ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Z.Abulfas Garayev në Tiranë. Të dyja këto marrëveshje nënshkruhen për herë të parë mes dy vendeve.

Të dy ministrat u shprehën se kjo Marrëveshje e Përbashkët për Rininë dhe Sportet, do t’i forcojë akoma më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve në këto fusha.  

Z. Rahimov ofroi mbështetje dhe bashkëpunim edhe në fushën e mjekësisë sportive, duke nxitur bashkëpunimin e drejtpërdrejtë midis akademisë së mjekësisë sportive të Azerbajxhanit dhe Qendrës së Mjekësisë Sportive në Shqipëri.

Në kuadrin e zhvillimit të Lojrave Olimpike Europiane në 2015 Ministri Rahimov ftoi Shqipërinë për të marrë pjesë në këto lojra duke ofruar dhe asistencë të plotë për ekipet olimpike Shqiptare.

Nënshkrimi i këtij programi do ti hapë rrugën bashkëpunimeve të ndryshme në këto dy fusha, duke qenë se sporti në Republikën e Azerbajxhanit është një fushë e cila është e zhvilluar dhe Ministria e Rinisë dhe Sporteve është e fokusuar në mbështetjen e tij. Gjithashtu në kuadër të këtij programi mirpriten investime dhe në infrastrukturën sportive, antidopingun, etj.

 

Te Gjitha te Drejtat e Rezervuara. © 2010 Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve Rr. e Kavajës, Tiranë, Shqiperi, www.mtkrs.gov.al