
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z. Aldo Bumçi ishte i ftuar sot në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ku foli për Rijetëzimin e Monumenteve të Kulturës.
Gjatë prezantimit të kësaj inisiative Ministri Bumçi e vuri theksin në partneritetin publik- privat ku kusht i domosdoshëm do të jetë hartimi dhe zbatimi i kontratave që do të përcaktojnë kushtet e nevojshme për ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore pa lënë mënjanë dhe përvojën e vendeve europiane. “Nisur nga nevoja për modele dhe shembuj krahasues, MTKRS është në një proces të vazhdueshëm shkëmbimi informacioni me vende të tjera si Franca, Spanja, Italia, Gjermania, Anglia, Hungaria etj, ku shembuj të bashkëpunimit publik privat ekzistojnë dhe janë mëse të avancuar” theksoi Z. Bumçi.
Ministri duke ju përgjigjur interesimit të deputetëve socialistë lidhur me gjendjen e disa kalave në vend tha se “Duke filluar prej vitit 1999-2000 shënohen disa prej iniciativave të cilat kanë rezultuar në dhënien fillimisht me qira nga Ministria e Kulturës, dhe më pas me emfiteozë nga Ministria e Ekonomisë të dy objekteve, përkatësisht Kalaja e Lëkurësit (Sarandë) dhe Kalaja e Petrelës (Petrelë). Aktualisht, përveç Kalasë së Petrelës apo edhe Kalasë së Lëkurësit që kanë kontrata afatgjatë, kjo e fundit e firmosur nga vetë Z. Edi Rama, të gjitha monumentet e tjera janë me qira 1-vjeçare të rinovueshme” tha ndër të tjera ministri.
Ndërsa kryetarja e Komisionit të Medias, Znj. Valentina Leskaj në emër edhe të përfaqësuesve socialistë në komision tha së opozita është dakord në parim më këtë nismë të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Më poshtë do të gjeni materialin përmbledhës prezantuar nga Ministri i TKRS-së, Z. Aldo Bumçi në Komisionin e Medias.
Material për Rijetëzimin e Monumenteve të Kulturës