
MTKRS në bashkëpunim me Këshillin e Europës dhe UNFPA organizojnë Trajnimin mbi Pjesëmarrjen dhe Politikat Rinore, në datat 21- 26 Nëntor, në ambientet e Kompleksit Chateu Linza Tiranë.
Ky trajnim ndërkombëtar me pjesëmarrjen e 30 të rinjve të përzgjedhur nga një sërë aplikimesh nga Shqipëria dhe aplikues nga Europa, ka në fokus përfshirjen e të rinjve përfaqësues të organizatave rinore lokale e kombëtare (lider të rinj, profesionistë, përfaqësues të strukturave rinore dhe Ojf-ve Rinore, grupet e margjinalizuara si dhe
nga autoritetet vendore e qëndrore politikbërës në fushën e rinisë.
Ceremoninë e hapjes, e përshëndeti Ministri i TKRS-së Z. Aldo Bumçi, i cili para të rinjve u shpreh se;
“Në politikat rinore, pjesëmarrja e të rinjve në dimensione të ndryshme të jetës, politikës, ekonomisë, artit, kulturës e shoqërisë civile është një prioritet që konsiderohet si jetik për integrimin evropian. Interesimi juaj për këtë trajnim dëshmon më së miri angazhimin e të rinjvë tanë, por dhe vendeve të rajonit, për të patur kontribut aktiv në sfidat e globalizimit. Një rëndësi të veçantë ju duhet ti jepni shkëmbimit të eksperiencave dhe përthithjes së përvojave më të mira të kolegëve tuaj në çështjet që do të trajtoni. Për Qeverinë Shqiptare, një nga nga drejtimet kryesore të punës është edukimi dhe arsimimi i të rinjve për moshën dixhitale. Rinia e mëshiron më së miri këtë projekt strategjik kombëtar”.
Më tej Z. Bumçi shtoi se “Jam i sigurt që ky trajnim i cili zhvillohet me kërkesë të Ministrisë së TKRS, me mbështetjen të K.E dhe UNFPA, do ti ofrojë të gjithë juve një qasje të përshtatur dhe një ndjekje më të qëndrueshme në nivel lokal dhe kombëtar në zbatimin e politikave rinore si dhe do të stimulojë bashkëpunimin dhe kontributin e aktorëve të ndryshëm në fushën e rinisë në kuadër të zhvillimit dhe implementimit të politikave rinore”.
Trajnimi do të prezantohet nga ekspertë ndërkombëtare dhe shqiptarë, në kuadër të Dokumentit të Rishikimit të Politikave Rinore nga Këshilli i Evropës dhe ka si synim të promovojë standartet më të mira të progresit rinor në BE dhe më gjerë, të cilat janë pjesëmarrja, vendimarrja, vullnetarizmi, solidariteti në çdo fushë të jetës si dhe do të stimulojë bashkëpunimin dhe kontributin e aktorëve të ndryshëm në fushën e rinisë në kuadër të zhvillimit dhe implementimit të politikave rinore në Shqipëri.