Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi relatoi para Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik mbi disa çështje të kërkuara nga ky komision në lidhje me Trashëgiminë Kulturore.
Pyetjes së Komisionit për masat e marra nga MTKRS për dëmtimin e afreskut të Onufrit në Kishën e Shën e Premtes në Valsh, Elbasan, Ministri ju përgjigj se Projekti i restaurimit është hartuar nga IMK dhe deri ne rreth 40% e afreskut mund te rivendoset, sikurse paralelisht është hartuar dhe një projekt i pajisjes me sisteme alarmi dhe kamera si dhe përforcim të dyerve dhe dritareve në 51 Kishat më të rëndësishme në Shqipëri.
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shtoi ministri, po bashkëpunon edhe me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për të harmonizuar ndërhyrjet në këto objekte, me qëllim mbrojtjen më të mirë të tyre.
Lidhur më çështjet e ngritura për dëmtimet në territorin e ish- Burgut të Spaçit, monument kulture i kategorisë së dytë, Ministri informoi në detaje anëtarët e Komisionit mbi statusin juridik të territorit prej 23 hektarësh ku tre hektarë është pjesa brenda rrethimit të parë.
Z. Aldo Bumçi saktësoi se tashmë që është në përfundim procesi i investimit për krijimin e Muzeut të Genocidit në Shkodër (ish hetuesia) fokusi do të përqëndrohet në ndërhyrjen për muzealizimin e ish- Burgut të Spacit, për këtë qëllim MTKRS po bashkëpunon me organizaten Suedeze CHWB (trashëgimia kulturore pa kufi) me qëllim dorëzimin e një aplikimi pranë Europa Nostra, i cili do finalizohet brenda 15 marsit të këtij viti.
Ky objekt ndër vite ka pasur dëmtime. Ka një projekt fillestar me vlerë 25 milionë lekë të reja për Burgun e Spaçit. Ndërkohë që Organizata Europa Nostra kërkon ta përfshijë Burgun e Spaçit në 7 sitet në rrezik të kujtesës europiane”, tha Bumçi.
Përsa i përket interesit të Komisioni për ndërtimin pranë hyrjes së Kalasë së Krujës, Ministri Aldo Bumçi shtoi se MTKRS brenda hapësirave që i ngarkon ligji ka kryer sondazhin arkeologjik në një territor i cili nuk është i përfshirë brenda qendres historike të qytetit. “Nuk ka asnjë ndërtim pa leje në qytetin e Krujës në zonat me mbrojtje të veçantë arkeologjike. Gërmimet arkeologjike nuk kanë zbuluar asgjë aty ku është ndërtuar”, tha Bumçi.
Investimi në fjalë, shtoi ministri synon që në pjesën mbi nivelin e rrugës të shtrihet në lartësinë 1 kat dhe të shërbejë si pikë tregëtimi të produkteve artizanale të zonës duke përmirësuar zhvillimin ekonomik të qytetit.