Ministri i Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve Z. Aldo Bumçi së bashku me Ambasadorin e BE-së në vendin tonë Z. Ettore Sequi si dhe Kryetarin e Bashkisë Z. Lorenc Luka kanë inspektuar punimet për rehabilitimin e infrastrukturës dhe fasadave të godinave në zonën muzeale të Shkodrës.
Gjatë vizitës Ministri Bumçi u shpreh se:”Është një investim i konsiderueshëm me rreth 670 mijë euro nga Bashkimi Europian dhe 130 mijë euro nga MTKRS. Këto investime nxjerrin në pah identitetin e Shkodrës, trashëgiminë e pasur historike, e zbukurojnë qytetin, rrisin numrin e turistëve etj. Siç e shihni Shkodra ka pësuar ndryshime rrënjësore, dhe këto investime krijojnë një tjetër klimë për investime private. Nga kjo qendër historike dhe këto investime merr jetë qyteti. Qeveria shqiptare do të vazhdojë investimet në Shkodër, dhe përveç investimeve në rrugën “Kolë Idromeno”, dhe godinës ku do vendoset Fototeka Marubi, po investojmë në Muzeun e Krimeve të Komunizmit pasi Shkodra është qyteti që është goditur më së shumti dhe e meriton një muze të tillë”.
Ndërsa Ambasadori i BE-së Ettore Sequi tha se ky investim është i rëndësishëm pasi promovon vlerat e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Jemi të angazhuar për qytetin e Shkodrës, ku BE ka investuar më shumë se 27 milion euro, në shkolla në ujësjellës, në kanalizime, si dhe në trashëgiminë kulturore, kjo sepse Bashkimi Europian është shumë afër Shqipërisë, tha ndër të tjera Zoti Sequi.
Ministri Bumçi së bashku me Ambasadorin Ettore Sequi dhe Z. Luka vizitua edhe punimet në muzeun e krimeve të komunizmit. Para medias ministri Bumçi tha se: “Këtu jemi në ish Degën e Brendshme të Shkodrës, i cili është institucioni i parë që do kthehet në muze. Unë duhet të falenderoj Kryetarin e Bashkisë Shkodër me të cilin kemi bashkëpunuar për ta kthyer këtë godinë vuajtjesh në një muze kujtese. Shkodra është qyteti që ka vuajtur më shumë se çdo qytet tjetër i Shqipërisë, dhe duhet të ketë një institucion të tillë. Ky muze do të përfaqësojë persekutimin, torturat, vuajtjen që pësoi populli shqiptar në afro gjysëm shekulli të diktaturës komuniste. Ka përfunduar ana fizike e muzeut dhe shumë shpejt shpresojmë brenda këtij vitit do të përfundojë dhe ana e ekspozimit të atyre objekteve dhe e pamjeve filmike që do përcjellë të gjithë atmosferën e asaj periudhë. Ky është institucioni i parë pas hapjes së pavionit të genocidit në Muzeun Historikë Kombëtar, dhe dëshirojmë të vijojmë më tej me burgun e Spaçit”, tha në mbyllje të fjalës së tij Ministri Bumçi.