
Janar- Gusht rreth 3 milionë turistë kanë vizituar vendin tonë.
Ministri i Turizmit Aldo Bumçi në një konferencë për shtyp dha të dhënat përfundimtare për ecurinë e turizmit për vitin 2011. Ministri ka vijuar me statistikat e rritjes së turizmit për këtë vit, duke dhënë përqindjet për të gjitha llojet e turizmit dhe zonat më të frekuentuara për këtë sezon. Ai deklaroi se në 2 milion e 990 mijë vizitorë që kanë hyrë gjatë periudhës 1 janar-31 gusht të këtij viti, 2 milion e 120 mijë janë vizitorë me nënshtetësi të huaj dhe 870 mijë janë vizitorë shqiptarë jo rezidentë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar vijoi ai në deklaratën e tij për shtyp, rritja është shënuar me 16% më shumë vizitorë me nënshtetësi të huaj jorezidentë, thënë ndryshe, në vitin 2011 kanë hyrë 300 mijë vizitorë më shumë. “Dëshirojmë të rrisim numrin e vizitorëve nga vendet fqinje, por sfida jonë është që të zgjerohemi në tregje të reja si Gjermani, Angli, SHBA, të cilët janë eksportuesit më të mëdhenj të turistëve në botë”, tha Bumçi.
Statistikat informojnë se 63% janë vizitorë me net qëndrimi, 26% janë vizitorë ditorë dhe 11% janë vizitorë tranzit. Numri më i madh i vizitorëve është nga Kosova me 51%, më pas Maqedonia me 11%, Mali i Zi me 5%, Italia me 5%, Greqia me 5%, Gjermania me 3%, Amerika me 2% etj.
Pjesa më e madhe e vizitorëve kanë ardhur në rrugë tokësore, 86%, ajror 6% dhe pjesa e fundit detar. Numri më i madh i vizitorëve është shënuar në pikën hyrëse Morinë nga e cila kalojnë 50% e vizitorëve, e ndjekur nga Muriqani me 14% dhe Qafëthana me Rinasin secila me mbi 10% të hyrjeve. Kështu në muajin korrik dhe gusht kanë hyre 1 355 599 vizitore jorezidente me nënshtetësi të huaj.
Kapacitetet më të mëdha pritëse i kanë qarqet e Vlorës, Tiranës dhe Durrësit. Një numër i madh njësish akomoduese është ngritur në qarqet e Shkodrës dhe Kukësit duke shënuar rritjen e turizmit malor në vitet e fundit. Zonat malor më të vizituara kanë qenë lugina e Valbonës dhe zona e Thethit. Turistët që kanë vizituar këtë verë luginën e Valbonës janë të shumtë, por ata që kanë kaluar të paktën një natë në Bujtinat e kësaj lugine, kapin shifrën e 17,159 turistë. Numri i njësive akomoduese është 8, nga të cilat 7 janë bujtina dhe 1 hotel. Ndërsa numri i turistëve ditorë e kalon shifrën e 15,000 gjatë gjithë sezonit. Ndërsa në Theth kemi një rritje deri në 10,000 të numrit të turistëve, ku 80- 90 % ishin me nënshtetësi të huaj. Numri i vizitorëve ka shënuar rritje dhe në zonat dhe parqet arkeologjike, duke treguar akoma më shumë interesimin e vizitorëve të huaj, duke qenë se numri i tyre në periudhën janar-gusht 2011, në parqet arkeologjike dhe muzeumet kombëtare është 79 094 kundrejt 62 976 ose 6118 vizitorë më shumë këtë vit. Të ardhurat shënojnë një rritje prej 20%. Ndërsa në parkun arkeologjik të Butrintit për këtë periudhë ka hyrje prej 25 370 vizitorë të huaj ose është dyfishuar numri, krahasuar me vitin 2010. Të ardhurat në këtë park janë rritur me 44% për periudhën 8-mujore, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti me parë.