
U organizua në Ministrinë e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Turizmit (ATA) tryeza e rrumbullakët me temë "Prioritetet dhe angazhimet në emër të partneritetit publik privat".
Nga ana e ATA-s u diskutua mbi 4 pika kryesore; ulja e TVSH për bizneset turistike, kategorizimi i hoteleve, agjensive turistike, operatorëve turistikë etj, dhe rregjistrimi në QKR, rritja e fondit për turizmin dhe përdorimi me efikasitet i fondeve në drejtim të marketimit dhe promocionit të produktit turistik dhe disa çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e autorit që prekin bizneset e turizmit si dhe problemi me plehrat..
Ministri Aldo Bumçi e vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm dhe kërkoi që të këtë një takim periodik me Shoqatën Shqiptare të Turizmit. Pa sektorin privat, shtoi ministri, nuk zhvillohet turizmi, dhe MTKRS do të jetë partnere që do të dëgjojë shqetësimet tuaja siç do të jetë e gatshme për ti zgjidhur ato. Megjithatë tha ai, nuk mund të bëjmë një plan të përbashkët pune pa të dhëna konkrete, do na duhet të krijojmë një sinergji për të zhvilluar ofertën turistike. Përsa i përket TVSH, shtoi Z.Bumçi, duhet të bëjmë një studim të plotë se cila është barra fiskale për bizneset dhe a është ajo më e madhe sesa e vendeve fqinje? Ndërsa përsa i përket rregjistrimit të bizneseve turistike në QKR, ministri tha se është një kërkesë plotësisht e realizueshme. Një tjetër çështje e ngritur nga ana e përfaqësuesve të ATA-s, ishte edhe vendosja e yjeve në hotele, për të cilën Z.Bumçi tha se duhet punuar për arritjen e standarteve, nëpërmjet aplikimit të modeleve europiane.