mtkrs_logo_al

Instrumenti për Asistencën e Paraaderimit

Instrumenti per Asistencen e Para-aderimit (IPA) përfaqëson nga 1 Janari 2007 instrumentin e ri financiar për të gjitha aktivitetet e para-aderimit të financuara nga Komisioni Europian. IPA zëvendëson instrumentat ekzistuese të Para-Aderimit duke i unifikuar ato nën një bazë ligjore të vetme në kuadrin e asistencës për Para-Aderim.

Objektivi i IPA-s është që të arrihet një menaxhim plotësisht i decentralizuar, i kontratimit, dhënies së granteve dhe pagesave.
IPA, për periudhën 2007-2013, është ideuar për t’u adaptuar më mirë me objektivat e ndryshëm të cdo përfituesi të angazhuar. Ofron mbështetje specifike dhe efektive në përputhje me nevojat dhe progresin e tyre individual. Në vecanti:

  • do të ndihmojë forcimin e institucioneve demokratike dhe zbatimin e ligjit, 
  • do të reformojë administratën publike, 
  • do të realizojë reformat ekonomike,
  • do të promovojë respekt për të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve, barazine gjinore, 
  • do të mbështesë zhvillimin e shoqërisë civile, 
  • do të cojë përpara bashkëpunimin rajonal, 
  • do të kontribuojë për një zhvillim të qëndrueshëm,
  • do të reduktojë varfërinë

Përfituesit

Vendet përfituese janë ndarë në dy kategori: vendet kandidate që kanë ndërmarrë procesin e aderimit (Kroacia, ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Turqia) dhe vendet kandidate potenciale (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova nën UNSCR 1244).

Komponentet e IPA

Me qëllim arritjen e objektivave të cdo vendi, IPA konsiston në pesë komponentë të ndryshëm:

  • I Asistenca për Tranzicionin dhe Krijimi i Kapaciteteve Institucionale;
  • II Bashkëpunimi Ndërkufitar;
  • III Zhvillimi Rajonal;
  • IV Zhvillimi i Burimeve Njerëzore;
  • V Zhvillimi Rural.

Nga 5 komponentë ku përqendrohet ndihma, Shqipëria do të përfitojë në dy prej tyre (Asistenca per Tranzicionin dhe Krijimi i Kapaciteteve Institucionale;
Bashkepunimi Nderkufitar). Megjithate në kuadër të komponentit të parë, ekziston mundësia e financimit të elementëve të një natyre të parashikuar për tu financuar nën komponentët III, IV dhe V.

Komponenti I - Asistenca e Tranzicionit dhe Ngritja e Institucioneve

Drejtimet thelbësore që do të udhëheqin asistencën e Bashkimit Evropian për Shqipërinë për komponentin e I-rë nën instrumentin e IPA, do të jenë kryesisht në fushat si:

  • forcimi i institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës;
  • promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut;
  • reforma në administratën publike;
  • reforma në fushën e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme;
  • mbështetje për refomën ekonomike nëpërmjet ndihmës së sektorit privat, ristrukturimit të industrisë si dhe modernizimit të sektorëve strategjikë;
    politikat në mbrojtje të mjedisit;
  • zhvillimi i shoqërisë civile dhe përfshirja sociale, etj.

Planifikimi i asistences financiare në kuadër të IPA-s

Asistenca financiare në kuadër të IPA-s orientohet në përputhje me hapat e anetarësimit të secilit vend dhe mbështetja është në përputhje me prioritetet e identifikuara në Partneritetet Europiane dhe të Anëtarësimit dhe Dokumentin Strategjik të Zgjerimit dhe Progres Raportet, të cilat formojnë paketën e zgjerimit të publikuar cdo vjeshtë.

Paketa e zgjerimit shoqërohet nga Kuadri Financiar Indikativ Shumëvjecar (MIFF). MIIFF është hartuar për të dhënë informacion mbi qëllimet e Komisionit për alokimet financiare indikative për secilin vend dhe për secilin komponent.

Duke u bazuar në alokimet e përcaktuara në MIFF dhe në përputhje me prioritetet e identifikuara në kuadrin politik, Komisioni Europian përgatit dhe prezanton Dokumentin e Planifikimit Indikativ Shumëvjecar (MIPD) për secilin vend (dhe një për të gjithë programet me shumë përfitues), në të cilët përcaktohen objektivat specifike dhe të dhëna për ndihmën e para-aderimit. Dhe këto dokumenta përfshijnë një periudhë tre vjecare.

Asistenca IPA me Shumë Përfitues

Asistenca IPA me Shumë Përfitues është një pjesë përbërëse e Programit të Asistencës së Para – Aderimit (IPA), që ka për qëllim të ndihmojë vendet kandidate dhe kandidate potenciale të plotësojnë kriteret politike dhe ekonomike në procesin e Integrimit në BE.

Fushat prioritare të identifikuara për vitet 2009-2011 që prekin MTKRS-në drejtpërdrejt janë:

  1. Rinia    
  2. Politikat e Pronësisë Intelektuale 
  3. Lëvizja e Lirë e Mallrave Kulturore

Programet e Bashkepunimit Transnacional dhe Nderkufitar me Vendet Anetare te BE

Në periudhën e re të programimit (2007-2013), vendet e Ballkanit Perëndimor marrin pjesë në tetë programe ndërkufitare ndërmjet tyre dhe në programet transnacionale.

Objekti i përgjithshëm i Programeve CBC (Cross Border Cooperation) është: Forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar nëpërmjet iniciativave të përbashkëta lokale dhe rajonale, duke kombinuar objektivat e ndihmës së huaj me objektivat e kohezionit ekonomik dhe social.

Objektivat specifike që janë parashikuar të arrihen nga implementimi i programeve CBC që BE ka ofruar për Shqipërinë janë:

  • Nxitja e zhvillimit ekonomik dhe social në zonat kufitare
  • Adresimi i sfidave të përbashkëta në fusha si : mjedisi, trashëgimia natyrale dhe kulturore, shëndeti publik dhe parandalimi & lufta kundër krimit të organizuar
  • Kufij të sigurt 
  • Nxitja e aktiviteteve të përbashkëta që përfshijnë partnerë nga rajonet kufitare
  • Inkurajimi i sipërmarrjeve, në veçanti, zhvillimi i SME-ve, turizmit, kulturës dhe tregtisë ndër-kufitare
  • Nxitja dhe përmirësimi i mbrojtjes dhe manaxhimit të përbashkët të burimeve natyrore dhe kulturore, si dhe parandalimi i rreziqeve natyrore dhe teknologjike
  • Mbështetja e lidhjeve mes zonave urbane dhe rurale
  • Ulja e nivelit të izolimit, mes rrjeteve të përmirësuara të transportit, rrjeteve të komunikimit dhe shërbimeve, ujërat ndërkufitare, sistemeve energjetike dhe manaxhimit të mbetjeve etj
  • Zhvillimi i bashkëpunimit, në sektore si shëndeti, kultura ,turizmi dhe arsimi
  • Nxitja e bashkëpunimit administrativ dhe ligjor
  • Nxitja e integrimit të tregjeve ndërkufitare të punës, iniciativa të përbashkëta të punësimit, barazisë gjinore, përfshirjes sociale etj

Në kuadër të programeve të bashkëpunimit ndërkufitar të ofruar në kuadër të IPA – Komponenti i II Shqipëria merr pjesë në programet e mëposhtme:

  • Programet IPA CBC me vendet anëtare të BE-se
  • Programet IPA CBC me vendet kandidate/kandidate potenciale 
  • Programet Trans-nacionale

Programet IPA CBC me Vendet Anetare

Programet e bashkëpunimit ndërkufitar me Vendet Anëtare fqinje në kuadër të IPA-s është një vazhdim i programeve të bashkëpunimit të sukseshëm të zbatuara në kuadër të instrumentave të mëparshëm të BE (CARDS, Phare). Shqipëria merr pjesë në programet e mëposhtme:

  • Greqi – Shqipëri 
  • Programi IPA Adriatic

Programet IPA CBC me Vendet Kandidate:

  • Shqipëri – Mali i Zi
  • Shqipëri – Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë

Objektivi i përgjithshëm i këtij programi është të nxisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve, komuniteteve dhe institucioneve në zonat kufitare, duke synuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të qëndrueshme të zhvillimit, gjithashtu dhe stabilitetin dhe prosperitetin në interes të përbashkët të të dy vendeve. Programi do të synojë për të ndërtuar kapacitetet e palëve në nivelet lokale, komunale, rajonale si dhe të institucioneve dhe shoqërisë civile për të marrë pjesë në iniciativat ndërkufitare.

Objektivat specifike të programit përfshijnë:

  • Promovimi i zhvillimit ekonomik të zonës nëpërmjet programimit ekonomik 
  • Mbrojtja, promovimi dhe menaxhimi i ekosistemeve si dhe zhvillimi i qëndrueshëm i mjedisit
  • Nxitja e qytetarëve drejt bashkëpunimit dhe ndërtimit të partneritetit përtej kufinjve
  • Forcimi i kapaciteteve të strukturave kombëtare dhe atyre të përbashkëta për menaxhimin e programit ndërkufitar
  • Zhvillimi ekonomik me theks në turizëm

Programet Trans-Nacionale

Programet transnacionale janë programe vetëm për vendet anëtare te BE-se, udhëhiqen nga rregulloret e KE-se për vendet anëtare dhe përfshirja e vendeve jo-anëtare, kandidate, kandidate potenciale dhe vende qe përfitojnë nga Politika e Fqinjësisë Evropiane, ka qene një opsion te cilin gjithmonë vendet anëtare e kane pare me pozitivitet.

Programet transnacionale kanë si qëllim nxitjen e zhvillimit të balancuar territorial (kohezionit territorial) dhe integrimin brenda zonës transnacionale të bashkëpunimit. Ato përqendrohen në një numër të kufizuar prioritetesh, në përputhje me proceset e Lisbonës dhe Goteborgut: inovacioni, mjedisi, aksesibiliteti dhe zhvillimi i qëndrueshëm urban.

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të lejuar të marrin pjesë në dy programe transnacionale:

  • Programi i Bashkëpunimit Transnacional i Europës Juglindore
  • Programi Mediterranean
Te Gjitha te Drejtat e Rezervuara. © 2010 Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve Rr. e Kavajës, Tiranë, Shqiperi, www.mtkrs.gov.al