
U inagurua sot Portali Albanologjik Shqipëri-Kosovë, projekt i inicuar nëpërmjet një marrëveshjeje të përbashkët mes dy Bibliotekave Kombëtarë në 5 mars të këtij viti.
Në ceremoninë e rastit përveç dy drejtorëve respektive Aurel Plasari dhe Sali Bashota mori pjesë edhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Aldo Bumçi.
Ministri Bumçi theksoi faktin që kjo marrëveshje është e rëndësishme për forcimin e identitetit kombëtar. Ai shtoi gjithashtu se MTKRS do të mbështesë vazhdimisht projekte të këtyre përmasave. Ministri tha gjithashtu se ky projekt i përshtatet më së miri nevojave të kohës, duke pasur parasysh edhe premtimin e Qeverisë Shqiptare për dixhitalizimin.
Ndërsa Z. Plasari dhe Z. Bashota e cilësuan këtë projekt shumë të rëndësishëm, i cili do të jetë në shërbim të të gjithëve, si një dritare e hapur për hapësirat mbarëshqiptare.
Qëllimi i këtij portali është mundësimi i aksesit të përdoruesve në bazat respektive të të dhënave të këtyre dy institucioneve të rëndësishme të kulturës sonë kombëtare; kjo do të realizohet përmes shkëmbimit reciprok të informacionit bibliografik të karakterit albanologjik si edhe të materialeve bibliotekare (libra të rrallë, revista, dorëshkrime etj).
Portali i përbashkët Shqipëri-Kosovë do të ofrojë qasje në burime bibliografike si edhe në burime të karakterit albanologjik. Përmes tij do të realizohet integrimi i informacionit mbi trashëgiminë e kulturës së shkruar mbarëshqiptare në rrjetin europian dhe botëror të informacionit.
Portali albanologjik është shërbim pa pagesë, që ofron informacion të larmishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, ku vend të veçantë zënë burimet bibliografike dhe koleksionet e digjituara të trashëgimisë kulturore kombëtare. Nëpërmjet tij mundësohet kërkimi dhe qasja në vlerat e rralla të trashëgimisë kombëtare në çdo kohë, nga kudo dhe nga kushdo. Website-i ofron shërbime si: të dhëna rreth historikut të krijimit të portalit; informacion për botime albanologjike, albanologë, hyrje të reja (libra, artikuj, periodikë) në të dy bibliotekat gjegjëse; qasje në burime të kombinuara dixhitale dhe jo-dixhitale, burime bibliografike etj.