28 Tetor 2010
Më 27.10.2010 ora 19.00 në sallën e TKOB u zhvillua homazhi koncertor : 100-vjet Tefta Tashko Koco.
T.T.Koço është një ndër më të shquarat këngëtore shqiptare të brezit të parë të muzikës shqiptare. Kushtet e kohës nuk e lejuan të realizohej në skenën operistike shqiptare dhe kjo është arsyeja që aktiviteti i saj në Shqipëri përmblidhet në një numër koncertesh me piano në të cilat u shqua sidomos në interpretimin e këngës popullore ku ka lënë modele të pashlyeshëm që kanë influencuar ndjeshëm zhvillimin e mëtejshëm të kësaj gjinie.
Mes tyre mund të përmendim: Kroi i fshatit tonë, Dola në penxhere, Kur më vjen burri nga stani, Oh, ku po shkon moj goc’e vogël, Fryn veriu, Kenke nur i bukuris, As aman o syr’i zie, etj. Një pjesë e mirë e repertorit të T.T.Koço është e rregjistruar në pllaka gramafoni të shoqërisë Columbia. T.T.Koço është Artiste e Popullit. Ndër rolet e interpretuara janë: Mimi, opera La Boheme (1934- France-Beograd), Violeta, opera La Traviata (1934 – France, Itali), Butterfly, opera Madame Butterfly (1935 –Francë), Lejla, opera Peshkataret e perlave (1935 – France), Michaela, opera Carmen (1934 – Francë),Lucia, opera Lucia di Lamermur (1935 – Francë), Rosina, opera Il barriere di Seviglia 1936, Francë), Margarita, opera Faust, (1934 – France), Manon, opera Dasma e Figaros(1934, France).
Në nder të 100 vjetorit të saj Teatri i Operës dhe Baletit si dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zhvilluan homazhin koncertor 100-vjet Tefta Tashko Koco. Me repertorin e sopranos së madhe lirike shqiptare, interpretuan artistët e TKOB. Orkestra Simfonike dhe Kori i T.K.O.B dhe soliste : Edith Mihali, Mariana Leka, Ylber Gjini, Eva Golemi, Armaldo Kllogjeri, Shpresa Beka, Eriona Gjyzeli, Dorina Selimaj, Armando Likaj, Ramona Tullumani, Ulpiana Aliaj, Rudina Delia, Emiliana Palushaj.
Në nder të saj i pranishëm në koncert, Ministri Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si i ftuar nderi.
Jeta :
Këngëtarja shqiptare, soprano, U lind në Fajum, Egjypt më 2 nëntor të vitit 1910 dhe vdiq në Tiranë më 2 dhjetor të vitit 1947.
Shkollën e mesme për muzikë e kreu në vitet 1927-1931 pranë Conservatoire de Musique de Montpelier, Francë në Institut Musical & Dramatique Professionel , në Paris në klasën e J. Sarraille dhe në vitet 1932 – 1936 kalon pranë Conservatoire National de Musique et de Declamation de Paris ku studion me A.Gresse (kanto), Dubois (deklamation), G. Wague, etj. Ndërkohë aktivizohet edhe në skena të ndryshme evropiane dhe veçanërisht në Operën Komike të Parisit.
Kthehet në Shqipëri në vitin 1936 dhe së bashku me pionieret e kantos shqiptare M.Kraja, J. Truja, K. Antoniu, M. Ciko, K. Koço dhe pianistet L.Gjoka, T. Guraziu, kryejnë një aktivitet intensiv koncertor sa nëpër Shqipëri aq edhe në vende të ndryshme. Pas çlirimit aktiviteti i T.T.Koços u bë edhe më intensiv dhe u shtri edhe në vendet fqinje.