
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z. Aldo Bumçi dhe homologu i tij Z. Memli Krasniqi vizituan sot në ditën e Pavarësisë së Kosovës ekspozitën e familjes Bogujevci që i mbijetoi luftës në Kosovë. Fatosi, Jehona dhe Saranda janë tre artistët e kësaj ekspozite, të cilët i mbijetuan masakrës në mars të vitit 1999, në Podujevë.
Ministri Bumçi ndër të tjera tha se historia e familjes Bogujevci është historia e gjithë Shqiptarëve. Nëpërmjet kësaj ekspozite shtoi ai, tregohet sakrifica jo vetëm e një familjeje por e gjithë popullit të Kosovës. Ndërsa Ministri i Kulturës së Kosovës Z. Krasniqi u shpreh se ndihet I nderuar që është në Shqipëri në këtë ditë festë. Kjo ekspozitë tha ai, është më e veçantë nga çka në jëmi mësuar të shohim pasi flet për vuajtjen e gjithë popullit të Kosovës, është homazh për viktimat e luftës.
Gjithashtu të dy ministrat folën edhe për bashkëpunimin me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Këtë vit tha Z. Krasniqi do të jemi shpesh bashkë, pasi do të kemi aktivitete të përbashkëta për të festuar këtë ngjarje të veçantë, këtë vit jubilar të formimit të shtetit shqiptar.
Ekspozita e titulluar ”Bogujevci- Histori pamore” përbëhet nga katër instalacione : Dhoma e ndenjes, Trungu familjar, Dhoma e spitalit dhe Dhoma e gjykimit, ku shfaqen filmime, intervista, fotografi dhe sende personale. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me datën 2 mars 2012.