Të nderuar pjesëmarrës,
Mendoj se po konsolidojme një traditë të mirë me evenimentin e shpalljes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë. Ceremonia e ndarjes së çmimeve të letërsisë përbën një ngjarje dhe një motiv më shumë për të mbledhur sërish, njerëzit e letrave, personalitetet e shquara të kulturës, dhe për të përcjellë së bashku kënaqësinë dhe emocionet e ndarjes së trofeve të veprave më të mira të vitit, në gjinitë e romanit, tregimit, poezisë, përkthimit, studimit dhe letërsisë për fëmijë.
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga politikat e shtetit shqiptar për kulturën, përpiqet, brenda kapaciteteve që ka disponibël, të dëshmojë kujdes jo vetëm ndaj librit si produkt kulturor dhe intelektual, por edhe ndaj krijuesve të tij. Dhe i gjithë ky proces i pandërprere synon që me përpjekje të përbashkëta të behet i mundur integrimi i kulturës së shkruar shqipe në vlerat më përfaqësuese të kulturës evropiane dhe asaj botërore.
Edicioni “Çmimet Kombëtare të Letërsisë”, akordon për vlerat më të spikatura në fushën e letërsisë, çmimet: “Gjergj Fishta”, “Faik Konica”, “Fan Noli”, “ Mitrush Kuteli”, “Petro Marko”, “Migjeni”, “Lasgush Poradeci”, “Jusuf Vrioni”, “Donat Kurti”dhe “Çmimin e madh të letërsisë”.
Ky aktivitet përfaqëson një angazhim të përvitshëm, nëpërmjet të cilit vlerësohet krijimtaria letrare, studi¬mo¬re dhe përkthimore që i ofrohet editorisë shqiptare përgjatë një viti kalendarik.
Eshte e qarte së keto janë cmime të Ministrisë së Kulturës dhe ne si ministri kemi menduar se mund të shkohet drejt një përzgjedhje cilësore duke i deleguar kartën e besimit, me të gjitha të drejtat e përzgjedhjes, një jurie serioze të kompozuar nga shkrimtarë, studiues dhe personalitete të letërsisë. Juria e cila prej disa muajsh, ka hulumtuar mbi risitë dhe dukuritë letrare që janë shfaqur në botimet e vitit që lamë pas, do të na bëjë të mundur vetëm disa minuta më pas, të njihemi me arritjet më përfaqësuese në fushën e krijimtarisë letrare, studimit dhe përkthimit, që mendohet se kanë shënuar një nivel kulmor në zhvillimet e sotme letrare.
Çmimet Kombëtare të Letërsisë orientohen drejt një përqasje të dyfishtë, ku synohet të cmohet krijimtaria e shkrimtarëve të ndryshëm bazuar në traditën letrare kombëtare, si edhe të dallohen dhe promovohen prirjet e reja që përshkojnë rrjedhën e letërsisë shqipe.
Të nderuar miq,
Ashtu si edhe ju, ndonëse në pozicionin e Ministrit të Kulturës, pas pak do të ndjek me kureshtje dhe emocion verdiktin e jurisë për veprat që janë përfshirë në garën e vitit që sapo lamë pas, dhe për të kremtuar së bashku arritjet që u shënuan në këtë hark kohore në kulturën e shkruar shqipe.
Ju faleminderit