I nderuar Prof. Dr. Dhori Kule, Rektor i Universitetit të Tiranës,
I nderuar Z. Mustafa Ozcan, antar i bordit drejtues së Universitetit Fatih,
I nderuar Prof. Dr. Paul Weller, përfaqësues i Derby University, në Mbretërinë e Bashkuar,
Të nderuar pjesëmarrës, miq dhe studiues
Prania në hapjen e punimeve të simpoziumit “Këndvështrimi i diversitetit fetar, kulturor dhe shoqëror në Ballkan nga perspektiva globale” është së pari nder dhe privilegj për mua si Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, sepse nëpërmjet tubimeve të tilla intelektuale, më jepet rasti të shpalos dhe të vlerësoj atë virtyt të paçmuar që karakterizon vendin dhe bashkëkombësit e mi, për modelin e patjetërsueshëm të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare që ekziston dhe trashëgohet brez pas brezi në atdheun tonë.
Harmonia ndërfetare në Shqipëri është jo vetëm një rast unik por edhe vlerë e patjetërsueshme dhe shumë përfaqësuese e kombit tonë. Ne gjithmonë kemi besuar në rëndësinë e madhe të ruajtjes dhe konsolidimit në çdo gjeneratë të këtij tipari tejet identifikues për shqiptarët, e cila vjen tashmë edhe si vlerë integruese në familjen e madhe evropiane.
Shqipëria sot vlerësohet nga mbarë opinioni botëror si një ndër të rrallët vende në botë ku diversiteti fetar ka qenë dhe vazhdon të çmohet si pasuri e kombit dhe asnjëherë në vendin tonë nuk është shfaqur ndonjë konflikt me karakter fetar. Për rrjedhojë, ajo që na bën të krenohemi është fakti se harmonia dhe bashkëjetesa ndërfetare në Shqipëri shërben si shembull jo vetëm për rajonin, por edhe për mbarë opinionin fetar mbarëbotëror. Për vetë stadet ku ka arritur sot shoqëria jonë, ne besojmë se dialogu dhe bashkëjetesa paqësore ndërmjet popullsive ku ekzistojnë bindje fetare, prejardhje etnike dhe kulturore të ndryshme si në rajonin e Ballkanit, merr vlera e rëndësi të veçanta e unike si mënyra e vetme për një të ardhme më të mirë, më me prosperitet për mbarë rajonin.
Kjo tribunë nga ku më jepet rasti të flas, dhe ky aktivitet më rëndësi jo të zakonshme ku një vend të veçantë i është kushtuar krijimtarisë së intelektualit dhe mendimtarit të shquar turk Fethullah Gylen, më nxit të shpreh mendimin tim për veprën e madhe të kësaj figure të shquar me përmasa botërore, të cilën do ta konsideroja si vepra e njerëzimit. Dhe kjo bindje ka lindur dhe ushqehet në vetëdijen time nga mesazhi që përcjellin veprat e tij të cilat shpalosin idenë se “Dialogu ndërfetar sot përbën një domosdoshmëri dhe hapi i parë në institucionalizimin e tij, është të harruarit e së shkuarës, injorimi i argumenteve polemikë dhe dhënia përparësi e pikave të përbashkëta, të cilat do të flakin tutje polemikat e panumërta”.
Ju faleminderit