mtkrs_logo_al

Fjala hyrëse e ministrit Z. Ferdinand Xhaferaj në Tryezën e Rrumbullakët “Turizmi në Shqipëri dhe në Gjermani

E nderuar Madam Carola Müller-Holtkemper, Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë.

I nderuar Dr. Willibold Frehner, Përfaqësues i Fondacionit Konrad Adenauer për Shqipërinë.

I nderuar Prof. Dr. Marenglen Spiro, Rektor i Universitetit Kristal.

Të nderuar pjesëmarrës!

E prita me kënaqësi ftesën tuaj për të qenë i pranishëm në këtë tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Fondacionit Konrad Adenauer, e cila synon të:

• sjellë përvojën pozitive të zhvillimit të turizmit në Gjermani, por edhe
• të identifikojë arritjet, problematikat dhe sfidat për zhvillimin e Turizmit të Qëndrueshëm sot në Shqipëri,

Dëshiroj së pari të falenderoj  Madam Carola Müller-Holtkemper, Ambasadore e Gjermanisë në Tiranë për mbështetjen që Republika Federale Gjermane i ka dhënë Shqipërisë nëpërmjet bashkëpunimit teknik dhe financiar, mbështetje e cila ka dhënë rezultatet e saj:

• në  zhvillimin e turizmit në zonat malore në vend,
• promovimin e imazhit të Shqipërisë si një destinacion turistik i sigurt, që karakterizohet nga një diversitet i rrallë i bukurive natyrore dhe një trashëgimi kulturore e klasit botëror.
• Përmirësimin e shërbimeve në fushën e turizmit

Kjo tryezë e rrumbullakët që organizohet sot nga Fondacioni Konrad Adenauer, na ofron të gjithëve mundësinë për të diskutuar, së bashku, mbi rëndësinë e Turizmit, si një nga motorët më të fuqishëm të zhvillimit të  tregtisë dhe prosperitetin sot në botë.

Turizmi sot është një nga sektorët më kryesorë të ekonomisë globale, i cili ka një kontribut të drejtpërdrejtë në ekonomitë tona lokale dhe kombëtare, duke ndikuar njëkohësisht në  reduktimin e varfërisë, krijimin e  vendeve të reja të punës,  inkurajimin e investimeve dhe tregtisë.

Qeveria Shqiptare në programin e saj për vitet 2007-2013 e konsideron zhvillimin e industrisë së turizmit si një ndër tre fushat kryesore  për zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm të vendit. 

Misioni ynë është të punojmë ngushtësisht me sektorin privat për të fuqizuar më tej në tregjet ndërkombëtare pozicionin e Shqipërisë dhe turizmit shqiptar.

Objektivi ynë madhor  është kthimi i vendit në një destinacion turistik kryesor mesdhetar. Për të realizuar këtë objektiv Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë, në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë, masa për nxitjen dhe lehtësimin e investimeve  dhe sipërmarrjeve private, si nga ana ligjore ashtu edhe për infrastrukturën në përgjithësi.

Sektori i Turizmit ka rritur peshën e kontributit në ekonominë e vendit si në vlerë ashtu edhe në punësim. Për rrjedhojë Shqipëria ka një ecuri me bilanc pozitiv në terma shifrash për vizitorët e huaj në vite.

Ndryshimi i imazhit të vendit, përmirësimi rrënjësor i infrastrukturës, promocioni agresiv duke kombinuar spotet promocionale në rrjete televizive prestigjioze të rajonit tonë,  kanë sjellë si rezultat një prurje te rëndësishme turistësh ne Shqipëri. Në vitin 2010 kanë vizituar Shqipërinë 3.5 milion vizitorë jo-rezident. Kanë hyrë mbi 500.000 vizitorë të huaj më shumë se një vit më pare.

Viti 2010 ka shënuar gjithashtu sukses në pasqyrimin e turizmit shqiptar në media-t e huaja ndër më prestigjiozet në botë ku REUTERS, NEW YORK TIMES, CNN, RAI,  “LONELY PLANE GUIDE”,  FINANCIAL TIMES, THE INDIPEDENT, por edhe gazeta e  mirënjohur gjermane  BILD kanë pasur në lajmet e tyre një emërues të përbashkët duke propozuar Shqipërinë si një destinacion që nuk duhet lënë pa vizituar në  2011-tën.

Rritjes së interesit të vizitorëve dhe investimeve në turizëm ne po përgatitemi që t’i përgjigjemi me një Plan Marketimi Aktiv dhe të përgjegjshëm, me një infrastrukturë te përshtatshme, dhe me burime  njerëzore të cilësisë së lartë. Sfida që  kemi përpara është si të jemi konkurrues në një rajon me tradita të konsoliduara në fushën e turizmit. 
Kjo tryezë e rrumbullakët do të shërbejë pikërisht për të na dhënë mundësinë të ndajmë eksperiencat tona dhe të prezantohemi me  metodologji novatore që  mund të aplikohen nga të gjitha institucionet publike dhe sipërmarrjet private në vend për të siguruar një jetë sa më të gjatë të tregut turistik në Shqipëri.

Do ta mbyll këtë fjalë, duke Ju përshëndetur përzemërsisht për këtë nisëm, dhe duke ju siguruar se MTKRS do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar politika efektive:

• për mbrojtjen e mjedisit,
• përmirësimin e produktit turistik në vend,
• zhvillimin e burimeve njerëzore, dhe
• rritjen e nivelit të  shërbimeve turistike

me qëllim që të sigurojmë në një kohë sa më të shpejtë, përfitime ekonomike afatgjata dhe të qëndrueshme nga zhvillimi i turizmit në vend.

Z. Ferdinand Xhaferaj

Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

Te Gjitha te Drejtat e Rezervuara. © 2010 Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve Rr. e Kavajës, Tiranë, Shqiperi, www.mtkrs.gov.al