Si po zhvillohet Trashëgimia Kulturore.
Hapim sot këtë analizë vjetore të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorive Rajonale të Kulturës Kombëtare në praninë e mediave, duke garantuar kështu që politikat e MTKRS në fushën e trashëgimisë kulturore i përcillen në kohë reale publikut shqiptar.
Në këtë analizë ne do hedhim një vështrim mbrapa për të parë se cfarë zgjidhëm mirë por, edhe cfare nuk kemi bërë si duhet për vitin që lamë pas, dhe vetëm mbas kësaj analize do të jemi në gjendje të projektojmë me cilësinë e duhur se cilat do të jenë angazhimet kryesore për vitin që sapo ka hyrë dhe në vazhdim.
Viti 2010 mund te përcaktohet si viti i reformes në sistemin e trashëgimisë kulturore. Varesia e drejtëpërdrejtë dhe vetëm nga MTKRS e Drejtorive Rajonale të Kulturës dhe Parqeve Arkeologjike e bënte të pamundur një mbikëqyrje të efektshme të aktivitetit të tyre nga strukturat përkatëse në MTKRS.
Mbas një punë disa mujore reformuese, më datë 10/11.2010 me vendimin nr. 983 Këshilli Ministrave kaloi një vendim që përcakton saktë mekanizmin e ristrukturimit të IMK dhe Drejtorive Rajonale të Kulturës, sipas të cilit aktiviteti i përditshëm, mënyra e sistemimit dhe e gjitha axhenda teknike kalon nën mbikëqyrjen e IMK dhe Ministri ka të drejten e shkarkimit dhe emërimit të titullarëve respektive. Reforma do të vazhdoje me miratimin e ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore ku krahas përqasjes me direktivat e BE-së do të përvijohet edhe më qartë dhe saktë reforma i institucioneve të trashëgimisë kulturore.
Ky ristrukturim ka në fokusin e vet zhvillimin e mëtejshëm të punës në fushën e trashëgimisë kulturore me qëllim final edhe forcimin e turizmit kulturor. Ditë më parë Kryeministri i vendit në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Turizmin, në një përqasje të integruar, vendosi detyra konkrete për cdo ministri dhe ministër. Një dimension i rëndësishëm i zhvillimit të turizmit është trashëgimia kulturore. Pikërisht për turizmin kulturor kërkohet një angazhim i përgjegjshëm për të pasur një ecuri pozitive të projekteve të rehabilitimit të qendrave historike nëpërmjet bashkëpunimit me Delegacionin e Komisionit Europian në Tiranë me fonde të CARDS 2006 dhe IPA 2009. Në gjashte mujorin e pare te ketij viti përfundon faza e parë që lidhet me rehabilitimet në Kalanë e Himarës, Krujës dhe Kalanë e Tiranës. Po ketë gjashtë mujor fillojmë me fazën e dytë që lidhet me qendrat historike të Shkodrës, Elbasanit, Korçës dhe Beratit. Të gjitha këto ndërhyrje janë tërësisht në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës së komunitetit dhe eksperiencës së vizitorëve. Në të gjitha rastet sikurse edhe më parë do të vashdojë bashkëpunimi me pushtetin lokal tek i cili adresohen këto projekte.
Në të njëjtën kohë, gjej rastin të informoj se MTKRS është e vendosur që të ndërhyjë në destinacionet kryesore të trashëgimisë kulturore. Kështu, do të përmirësojmë aksesin e vizitorëve në Butrint nëpërmejt biletarive elektronike, por edhe hartimin dhe përfundimin e planit të menaxhimit të arkeologjisë dhe monumenteve. Do ndërhyjme thellësisht në menaxhimin e Parkut Arkeologjik të Apollonisë nëpërmjet gërmimeve arkeologjike në funksion të turizmit dhe rigjenerimin e muzeut arkeologjik i cili është duke u financuar nga UNDP dhe UNESCO.
Gjithashtu do të përmendja investimet në Amfiteatrin e Durrësit (ku vetëm shpronësimi i banesave dhe ndërtimi i një godine të re për familjarët ka kapur vlerën prej 1 milionë USD). Rikonceptimi i Muzeut Arkeologjik të Durrësit (projekt i cili fillon së shpejti me buxhet të shtetit) është një tjetër inisiativë që do të konkretizohet për vitin 2011. Vlen të theksojmë punën e nisur për rikonceptimin e Muzeut Historik Kombëtar në bashkëpunim me UNDP dhe UNESCO dhe financim të qeverisë spanjolle. Projekti final i pavionit të etnografisë është miratuar tashmë prej Komisionit Shtetëror të Muzeve dhe pritet vetëm fillimi i punimeve prej UNDP. Përmirësimin e Muzeve të Krujës e Kalasë së Shkodrës, ndërhyrjet në Antigone dhe kordinimi me projektet rrugore që përfundojnë në site arkeologjike, të gjitha këto do jenë në funksion të një bashkëpunimi intensiv me operatorët turistike për të afruar me cilësinë e duhur vlerat tona të trashëgimisë kulturore.
Në këtë kuadër theksoj dhe njëherë rëndësinë që duhet të ketë serioziteti i drejtuesve të institucioneve tona në funksion të menaxhimit të vlerave kulturore si dhe të etikës në turizëm. Ndërsa kërkohet nga Kryeministri angazhimi i ministrave për të garantuar standarte pastrimi në të gjitha akset nacionale dhe plazhet kryesore, kjo do të thotë se nga ana jonë nuk do të tolerohet dhe do të qëndrohet ashpër nëse do të konstatohet një shërbim jo korrekt në parqet dhe muzetë tona. Ajo që ndodhi sezonin e kaluar në Butrint nuk duam të përsëritet dhe për këto po ju porosisim qartë që tani. Këto dhe të tjerë elementë që kanë të bëjnë me projektimin saktë të objektivave tona për të ardhmen janë disa nga çështjet që do të diskutohen sot në këtë analizë vjetore.