I nderuar ambasador/profesor Foresti,
Të nderuar pjesëmarrës, studiues, historianë dhe njerëz të letrave,
Sikurse është vënë re gjatë këtij fillim viti, por edhe në vitin që sapo lam pas, libri ka qenë dhe mbetet një ndër shtyllat kryesore në krejt veprimtarinë intensive të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Pavarësisht formave të reja të teknologjisë digitale dhe versioneve elektronike që paraqiten, libri mbetet vlerë themelore e mendimit dhe e emancipimit të shoqërisë njerëzore, i cila ka qenë bashkëudhëtare i njeriut (dhe vashdon të jetë) në udhën e gjatë të zhvillimit dhe dijes për mëse 4000 mijë vjet.
Pra, edhe sot, motiv i këtij takimi të veçantë është botimi i një vepre të rrallë në llojin e vet, “Statutet e Shkodrës”, vepër e cila me aktin e krijimit të saj para shumë shekujsh, ka shënuar një stad të ri emancipimi për qytetërimin tonë. Kjo vepër dëshmon se qytetërimi shqiptar ka rendur përkrah stadeve të zhvillimit të atyre dukurive që zënë vend në korpusin e trashëgimisë kulturore evropiane.
Libri “Statutet e Shkodrës” me autore profesoren e nderuar të Universitetit të Venecias, Luçia Nadin, është botuar për herë të parë në Itali, në vitin 2002, nga Shtëpia Botuese “Viella”, në bashkëpunim me Departamentin e Studimeve Historike të Unversitetit të Venecias dhe me kontributin financiar të Krahinës së Veneto-s dhe të Ministrisë Italiane për Universitetet.
Në këtë kontekst, gjej rastin të falenderoj studiuesen Luçia Nadin për përkushtimin që ka treguar në hulumtimin dhe evidentimin e një sërë temash të panjohura sa duhet nga auditori i huaj, në të cilat hidhej dritë mbi jetën zakonore dhe kulturën shqiptare.
Libri që i vjen sot lexuesit, dhe auditorëve të universiteteve dhe akademise se shkencave, përbën një dëshmi të nivelit bashëkohor të zhvillimit të jetës qytetare të Shkodrës dhe të rrethinave të saj, në një plan me atë të qyteteve më në zë të Italisë dhe Europës së shekullit të XIV. Në të analizohet jeta e Shqipërisë, e cila aso kohe ishte mjaft e ndikuar nga kultura veneciane, duke nxjerrë në pah në të njëjtën kohë, atë lidhje e ndikim të ndërsjelltë të dy brigjeve të Adriatikut, me rrënjë kristiane dhe europiane. Në vepër zënë vend 279 kapituj që përcaktojnë me ligj, jetën qytetare të Shkodrës, në tregëti, bujqësi, artizanat, ndërtim, në mardhëniet e pronësisë, si dhe ne shumë aspekte të së drejtës civile dhe penale.
Sipas mendimit të studiuesve të shprehur në libër, ky dokument përbën një pikë referimi edhe për mjaft statute të qyteteve komuna fqinj, si ai i Kotorrit, Ulqinit apo Budvas si dhe për mjaft aspekte të tjera që kanë të bëjnë me kanunet e ndryshëm shqiptarë, duke përfshirë edhe atë të Lek Dukagjinit etj.
Botimi i këtij libri dhe i shumë kolanave të tjera të botuara dhe të promovuara nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe partnerët e saj, para së gjithash janë një tregues se historia dhe kultura shqiptare, nuk gjendet më e mbuluar në letargjinë shekullore të arkivave të huaja, përkundrazi, ajo është sot gjymtyrë e gjallë e bibliotekave, qendrave të ndryshme kërkimore shkencore, si edhe dëshmi e drejtpërdrejtë e identitetit europian të shqiptarëve.
Ju faleminderit