mtkrs_logo_al 

Fituesi i Konkursit Ndërkombëtar të Monumentit për 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar

slide_im_fituesi_konkursit

Galeria Kombëtare e Arteve njofton se fituesi i Konkursit Ndërkombëtar të Monumentit shpallur në mbështetje të Urdhrit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Nr. 289 , datë 22.12. 2011 “Për realizimin në skulpturë të veprës monumentale kushtuar 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar” është projekti i paraqitur nga bashkëautorët Visar Obrija dhe Kai Roman Kiklas (Kosovë, Gjermani). Ky projekt fitoi vendin e parë në vlerësimin e jurisë ndërkombëtare, të mbledhur nga datat 19 – 21 Mars 2012 në GKA duke marrë 31 pikë. Po ashtu edhe në votimin e hapur për publikun nga datat 6 Prill – 17 Prill 2012 ky projekt fitoi vendin e parë me 33.8% të votave elektronike (ose 2181 vota). Nga votimi i përgjithshëm elektronik dhe i drejtpërdrejtë, projekti përsëri fitoi vendin e parë me 2210 pikë. Me datë 24 Prill 2012 ky propozim u miratua si projekti fitues nga Komiteti Ndërministror për 100 vjetorin e Pavarësisë.

Projekti i propozuar nga bashkëpunimi mes dy arkitektëve nga Mynihu frymëzohet nga banesa tradicionale shqiptare. Për autorët, banesa shqiptare ka shërbyer si shtëpi dhe fortifikim njëherësh, duke u bërë simbol kombëtar i qëndresës në shekuj. Për të shprehur idenë e pavarësisë ata sjellin një ndërtesë të hapur e cila paraqitet si dy gjysma kubi, ku njëra gjysëm mban çatinë dhe tjetra platformën. Kjo strukturë është menduar e lartë dhe e gjerë dhe njerëzit mund të kalojnë lirisht përmes hapjes së saj. Në faqet e brendshme anësore të monumentit do të ketë elementë të vizatuar me lazer si: ‘Deklarata e Pavarësisë’, simboli kombëtar i shqiponjës dhe figura njerëzore. Hapja e banesës simbolizon çlirimin e kombit shqiptar dhe kapërcimin nga izolimi drejt lirisë dhe pamjen nga e ardhmja.

Te Gjitha te Drejtat e Rezervuara. © 2010 Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve Rr. e Kavajës, Tiranë, Shqiperi, www.mtkrs.gov.al