
Në përkujtim të 140 - vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës, në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar nga MTKRS dhe Shoqata e Bukinistëve dhe Koleksionistëve Shqiptarë u hap një ekspozitë me fonde të ralla nga jeta dhe vepra e tij, sende dhe objekte personale, si tavolina e punës dhe makina e shkrimit, bastuni i tij, dorëshkrime të shumta, fotografi, etj.
Ministri I TKRS-së, Z. Aldo Bumçi i pranishëm në aktivitet u shpreh se ndjehej i lumtur që merr pjesë në kremtimin e 140-vjetorit të Homerit Shqiptar dhe shtoi se ‘Kjo ekspozitë është një dëshmi e dyfishtë, sëpari ajo sjell për herë të parë në origjinalitetin e saj jetën krijuese të Gjergj Fishtës, të ambjentit të tij të punës dhe mbi të gjitha shndërrohet në provë të marrëdhënies unike të popullit me poetin e vet kombëtar”. “Ruajtja e objekteve të Fishtës është një provë unike për popullin tonë. Pavarësisht dënimeve që ekzistonin në atë kohë, populli i ruajti objektet e Fishtës, dhe kjo tregon respekt”, -tha ministri.
Kam kënaqësinë tju informoj, shtoi më tej Bumçi së Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në këtë përvjetor të Fishtës por duke u shtrirë edhe gjatë vitit jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë personazh themelor i të cilës ai ishte, ka konceptuar një sërë veprimtarish, aktesh dhe botimesh.
Shtëpia e At Gjergj Fishtës, në fshatin Fishtë, në Zadrimë të Lezhës do të rikonstruktohet dhe do të shndërrohet në një muze bashkëkohor në lartësinë e këtij personaliteti të kulturës kombëtare si dhe po shqyrtohet mundësia e vendosjes në skenë për herë të parë të një vepre të tij nga Teatri Kombëtar. Gjithashtu po punohet për botimin e një albumi fotografik nga fondet e Fototekës Marubi ku në mënyrë kronologjike pasqyrohet jeta dhe aktiviteti i Fishtës i parë nga fotografët si dhe në bashkëpunim me Provincën Franceskane do të ribotohet vepra e plotë e tij.
Fjalën e tij Z.Bumçi e mbylli me shprehjen “Gjithmonë vjen ora kur të vonuarit mbërrijnë dhe të munguarit shfaqen. Ashtu si në çdo panteon hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes, e ajo portë nuk njeh veçse arsyet e mëdha dhe Fishta skaliti ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve dhe kjo ndërgjegje e njeh atë për Atë”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar në 24 dhe 25 tetor.