
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, u organizua në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me 11 Shoqatat Rome të Shqipërisë konferenca “Ditët e Kulturës Rome”, në kuadër të 8 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të
Romëve.
I pranishëm në konferencë, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z. Aldo Bumçi premtoi mbështetje të projekteve që kanë të bëjnë me promovimin e vlerave dhe kulturës rome. Ministri Bumçi propozoi pregatitjen e projekteve konkrete nga komuniteti rom, si dhe kërkoi që në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë ky komunitet të përfshihet në aktivitetet që do të zhvillohen. MTKRS, tha Bumci përfshin shumë institucione të artit dhe kulturës, duke filluar nga Qendra Kombëtare e Artit, Qendra Kombëtare e Femijëve, Arkivi i Filmit, Cirku Kombëtar, Teatri Kombetar dhe ai i Komedise, etj, të cilat do të mirëpresin projektet tuaja për ti bërë pjesë të kalendareve artistike.
Ndërsa përfaqësuesja e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Znj.Blerina Tepelena e vuri theksin në angazhimet e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare për integrimin e komunitetit rom. Sipas saj gjatë vitit 2011 janë trajtuar rreth 1320 familje me ndihmë ekonomike, kanë përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar 660 persona, gjithashtu rreth 445 persona janë përfitues të shërbimeve të përkujdesit në qendrat publike dhe 217 persona kanë përfituar kurse të formimit profesional falas.