Dita Ndërkombëtare e Holokaustit
Në kuadër të ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, u organizua në Krujë një aktivitet përkujtimor me pjesëmarrjen e Ministrit të TKRS-së, Z. Aldo Bumçi, Kryetarit të Bashkisë së Krujës, ambasadori dhe përfaqësues nga ambasada e Izraelit si dhe familjarë që kanë ndihmuar hebrejte gjatë periudhës së luftës.
Ministri Bumçi e cilësoi Holokaustin si një ngjarje të paprecedent në historinë e njerëzimit. “Shqiptarët i strehuan dhe i mbrojtën Hebrenjtë, dhe kjo ndodhi se në Shqipëri nuk kishte urrejtje fetare por tolerancë dhe bashkëjetesë ndërfetare. Shqiptarët rradhiten ndër ata popuj të paktë që rrezikun veten e tyre për të shpëtuar hebrenjtë, ky akt i rradhit shqiptarët ndër popujt më humanë” tha ndër të tjera ministri Bumçi.
Gjithashtu aktivitetin e përshëndetën edhe përfaqësues të familjeve krutane që kanë strehuar familje hebreje gjatë luftës së Dytë Botërore.
Në ambjentet e hotel “Panorama”, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve hapi një ekspozitë me foto në simbol të kësaj dite si dhe për të pranishmit u shfaq filmi “Djali me pizhame me vija”.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2005, këtë ditë e ka shpallur Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, pasi 27 janari është dita kur forcat sovjetike e çliruan kampin Aushvic-Birkenau në vitin 1945.