
Në ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Z.Aldo Bumçi bëri një prezantim të punës së bërë në këtë sektor duke e cilësuar “si një ditë ku të gjithë kujtojmë dhe diskutojmë mbi vlerat e trashëgimisë sonë kulturore, materiale dhe shpirtërore”.
Të dhënat statistikore, shtoi më tej Bumçi gjatë fjalës së tij, tregojnë më së miri se vendi ynë ka një traditë të gjatë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. “Dëshiroj të rikujtoj se në hapësirën 2008-2010 numri i vizitorëve në destinacionet kulturore të MTKRS është rritur me mbi 200%, por në këto shifra nuk përfshihen edhe monumente kulture apo muze që administrohen nga pushteti vendor si Muzeu Historik i Shkodrës, Memoriali i Gjergj Kastrioti Skënderbeut në Lezhë, Muzeu Historik Vlorë, Muzeu Historik dhe Kongresi i Lushnjës. Në bashkëpunim me këto njësi të qeverisjes vendore ne do të synojmë që të pasqyrojmë gjithnjë e më shumë realitetin e prekshëm të vizitueshmërisë në të gjithë territorin e vendit”. “Mund të them me kënaqësi, sikurse e kam përmendur edhe në një dalje të mëparshme për statistikat e turizmit, se hapi më cilësor është konstatuar në Parkun Kombëtar të Butrintit. Nga 33.050 vizitorë në 8 mujorin 2010 numri ka arritur në 53.850 vizitorë gjatë 2011. Duket qartësisht se ka një rritje prej 53% në 8-mujor, dhe 10% më shumë se totali i vizitorëve të vitit 2010”, shtoi më tej Z.Bumçi..
Gjithashtu Ministri Bumçi bëri një prezantim të punës së bërë për pregatitjen e dosjes për përfshirjen e “Eposit të Kreshnikëve” në listën e trashëgimisë kulturore shpirtërore të UNESCO-s. Z. Bumci tha: “jo më me pak rëndësi në këtë ditë feste, është edhe fakti se puna për përfshirjen në listën e trashëgimisë kulturore shpirtërore të UNESCO-s në nevojë për mbrojtje urgjente të “Homofonisë legjendare shqiptare të kënduar dhe shoqëruar me lahutë” - Eposi i Kreshnikëve sikurse njihet nga opinioni publik, po vijon me ritëm të lartë. Ne synojmë që brenda Marsit 2012 të dorëzojmë në UNESCO këtë dosje teknike, ndërkohë që po punohet për pasurimin e saj me fotografi, dokumentarë dhe informacione shkencore”.
Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore është shpallur si e tillë në vitin 2003, të parashikuar në Ligjin e Trashëgimisë të miratuar në po këtë vit.
Kjo dite shoqërohet me një sërë aktivitetesh në të gjithë vendin të organizuara nga institucionet e trashëgimisë si ekspozita, mini panaire, festivale etj. Në sajë të iniciativës së MTKRS-së, të gjitha muzetë dhe parqet arkeologjikë kombëtare por edhe monumentet e vizitueshme në të gjithë territorin e vendit do të jenë të hapur për publikun falas.
Shkarkoni fjalimin e mbajtur nga minsitri Z. Aldo Bumçi: