Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve promovoi në qytetin e Shkodrës Ditën Botërore të Turizmit me moton "Turizmi bashkon kulturat".
Në kuadër të Ditës Botërore të Turizmit, Ministri i TKRS-së, Z. Aldo Bumçi ka zgjedhur qytetin e Shkodrës për të promovuar nga ky qytet vlerat e trashëgimisë kulturore por edhe promovimin e turizmit kulturor.
I shoqëruar nga Kryebashkiaku Lorenc Luka dhe drejtuesit e institucioneve kulturore në Shkodër, Z. Bumci inspektoi edhe punimet që po bëhen në vazhdimin e rrugës pedonale si dhe transferimin e Fototekës Marubi në ambjentet e godinës së ish bankës në rrugën Kolë Idromeno.
Ministri Bumçi u shpreh se Ministria e Turizmit në vazhdim do mbështes edhe më shumë zhvillimin dhe promovimin e Turizmit Kulturor dhe Shkodra është një nga qytetet që më së shumti ka cka të ofroj në këtë drejtim. Ministri Bumçi gjithashtu theksoj edhe investimet që po bëhen në shtëpitë karakteristike të qytetit.
Ministri Bumçi tha gjithashtu se:- “Shqipëria po shndërrohet, ҫdo ditë e më shumë, në një destinacion të pëlqyer turistik dhe se gjatë këtij viti Shqipëria është vizituar nga rreth 3 milionë turistë”. Por, Ministri Bumçi shtoi se, njësitë vendore, nga Velipoja deri në Ksamil, nuk bënë aq sa duhet në drejtim të mbajtjes pastër të mjedisit, gjë që ndikon edhe në imazhin e vendit.
Muajt e fundit në Shkodër po realizohen disa projekte që synojnë rigjallërimin e traditave të pasura të këtij qyteti në shërbim të turizmit.
Dita Botërore e Turizmit e cila festohet cdo vit në datën 27 Shtator ka për qëllim forcimin dhe ndërgjegjësimin mes komuniteteve ndërkombëtare për rëndësinë e turizmit dhe vlerat sociale, ekonomike, kulturore dhe politike që ai sjell. Eventi synon të adresojë sfidat globale të përfshira në Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjecarit të Kombeve të Bashkuara duke u fokusuar në kontributin që turizmi ka në arritjen e këtyre objektivave.