12 Gusht 2010

Me rastin e Ditës Botërore të Rinisë ,12 Gusht 2010 , që këtë vit mbarti temën “ Dialog dhe Mirëkuptim Reciprok “, për të nxitur vlerën e dialogut ndërmjet të rinjve nga kultura te ndryshme si dhe ndërmjet brezave , MTKRS organizoi konferencën kombëtare Rinore : Dialog , Pjesëmarrje , Zhvillim. Nuk mungoi në këtë event ; prezenca e ambasadave të ndryshme si ajo hollandeze, kineze, franceze, greke, maqedonase etj, organizatat ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri UN dhe përfaqësues të Këshillit të Europës në Tiranë.
Fjalën e rastit e mbajti Ministri i TKRS Z. Ferdinand Xhaferaj pasi shprehu kënaqësinë e tij si Ministër i, Rinisë që ishte present dhe pershendeti në këtë konferencë që mbahet për rininë me rastin e ditës botërore të rinisë.
Afro një vit më parë, u shpreh ai, në Kuvendin e Shqipërisë, Kryeministri Berisha do të paraqiste programin e qeverisë për vitet 2009-2013. Ndërsa do të shtjellonte angazhimet e qeverisë për Turizmin, Kulturën, Rininë dhe Sportet, Z. Berisha për Rininë do të veconte qartë se: Mbështetja e rinisë në të gjitha dimensionet dhe hapsirat e mundëshme do të ishte prioritet i qeverisë.
Të rinjtë kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten në fokus të programeve afatmesme dhe afatgjata të qeverisë shqiptare cilësoi Xhaferaj, kjo duke u fokusuar në arsimimin, edukimin me teknologji dixhitale, punësimin, mbrojtjen e shëndetit dhe plotësimin e shumë kushteve që lidhen me zhvillimin dhe konsoldimin e rinisë.
Kombet e Bashkuara e shpallën vitin 2010, si vitin ndërkombëtar të rinisë me moton“ Dialog dhe Mirëkuptim Reciprok”. Në këtë vit të shpallur ndërkombëtarisht për ju, të rinjtë shqiptarë kanë se cfarë te tregojnë per bashkëmoshatarët e tyre në Evropë e më gjerë. Ketu, mjafton të përmend tha ai se Shqipëria rënditet në vëndet parësore lidhur me punësimin e të rinjëve në të gjitha nivelet e administratës së lartë shtetërore.
Sikurse dihet kanë mbetur dhe shumë pak muaj nga liberalizimi i vizave me BE. Të rinjtë shqiptarë prej kohësh po i përshtaten kësaj klime të re, shumë premtuese për vendin tonë, nëpërmjet informimit intensiv me seminare, si edhe trajnime të kordinuara në mënyrë të efektshme nga Qeveria Shqiptare, organizatat ndërkombëtare dhe shoqatat rinore në vend.
Pra, të rinjtë shqiptarë do të lëvizin në kufijtë e bashkuar të Evropës, pa asnjë kompleks arsimimi apo edukimi nga moshatarët e tyre italianë, francezë, çekë, polakë grekë, sepse ata kanë shënuar rezultate të shkëlqyera në Sorbonë, La Sapienca, Oksford, Charles dhe Standford University, e shumë kolegje të njohura evropiane dhe amerikane.
Statistikat e punësimit në Shqipëri të të rinjvë që kanë studiuar jashtë na bejne me dije se ky numër është shtuar me afro 40 % në krahasim me 4 vite më parë. Këta të rinj, por edhe me dhjetra bashkëmoshatarë të tyre të diplomuar në universitetett tona publike e private, janë sot eksperte dhe drejtues dinjitoze të administatës publike dhe institucioneve shqiptare.
Sot në këtë ditë të shënuar për ju, theksoi Ministri ndër të tjera me iniciativën dhe mbështetjen e plotë të kryeministrit, ne ju ofrojmë një program të qartë për ngritjen dhe funksionimin së shpejti të Agjensisë Kombetare te Rinisë, e cila do të jetë një strukturë e mirëfilltë evropiane për një zhvillim të qëndrueshëm të rinisë sonë.
Ngritja e qendrave informuese rinore në qytete të ndryshme, do t’i shërbejnë Agjencisë Kombëtare të Rinisë për dhënien e një informacioni cilësor, me qëllim pjesmarrjen e të rinjve në programe evropiane; seminare, aktivitete ndërkulturore në mbështetje të komunkimit dhe lëvizjes së lirë të të rinjve.
Në këtë frymë, ne si MTKRS angazhohemi të mbeshtesim aplikimin e një regjimi fiskal të favorshëm për OJQ-të rinore me synim nxitjen dhe zhvillimin e një rrjeti të gjerë organizatash rinore. Prioriteti ynë u shpreh Ministri mbetet ngritja e urave të bashkëpunimit dhe të partneritetit mes autoriteteve publike dhe organizatave rinore në të gjitha fushat që lidhen me zhvillimin e rinisë.
Iniciativat tona për rininë synojnë që të rinjtë shqiptarë të përqafojnë vlerat dhe cilësitë më të mira të identitetit Kombëtar, indentitet ky që bashkëjeton më së miri me qytetarinë Europiane.
Ministri Xhaferaj deklaroi se në pergjigje të thirrjes së Kombëve të Bashkuara, në kuadër të Vitit Ndërkombëtar të Rinisë, do të mbështetet fuqimsht çdo nismë, veprimtari apo program që gjeneron energji rinore për të cuar më tej idealet e humanizmit; paqen, lirinë, të drejtat e njeriut, tolerancën, solidaritetin dhe vullnetarizmin. MTKRS është dhe do te jete aleati më i fuqishëm në cdo hap të garës suaj, për progres.
Konferenca vijoi e fokusuar në çështjet e rinisë dhe zhvillimit në kontekstin e Qëllimeve për Zhvillimin e Mijëvjecarit dhe u finalizua me zyrtarizimin e marrëveshjes së përbashkët midis 4 ministrive të linjës (Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Ministrisë së Shëndetësisë ) mbi angazhimin dhe përkrahjen e institucioneve në mbështetjë të të rinjve, zbatimin e rekomandimeve të Këshillit të Europes si dhe lancimin për mbështetje të iniciativave rinore gjatë vitit ndërkombëtarë të rinisë. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
DEKLARATE E PERBASHKET MBI
ZBATIMIN E REKOMANDIMEVE TE KESHILLIT TE EUROPES
PËR RISHIKIMIN E POLITIKAVE RINORE NË SHQIPËRI
për vitet 2010 - 2013
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë, përfaqësuar nga nivelet më të lartë drejtues, nënshkrues të autorizuar të kësaj Deklarate;
Duke marrë në konsideratë Rekomandimet e bëra nga Ekipi Mbikqyrës i Këshillit të Europës mbi politikat rinore në Shqipëri;
Të vetëdijshëm për rëndësinë që ka ndërmarrja e hapave dhe veprimeve të duhura për implementimin e rekomandimeve të Këshillit të Europës, bazuar në Dokumentin* bashkëlidhur kësaj Deklarate;
Më synim nxitjen dhe angazhimin e të gjithë strukturave publike, qeveritare dhe jo qeveritare, për të rritur dhe forcuar rolin drejtues dhe informues të të rinjve në të gjitha fushat ku kërkohet audienca dhe mendimi i të rinjve;
Me qëllim sigurimin e një shkalle më të lartë lirie, pavarësie qeverisëse dhe menaxhuese si dhe sigurimin e një përfshirje sa më të gjerë sociale të grupmoshave rinore,
MTKRS dhe Ministritë e tjera të linjës, në bashkepunim te ngushtë me institucionet ndërkombëtare dhe organizatat rinore të shoqërisë civile në Shqipëri, angazhohen dhe bien dakord sa më poshtë:
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS) dhe Qeveria Shqiptare do te angazhohen për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Rinisë si institucion i drejtëpërdrejtë përgjegjës për zbatimin dhe shpërndarjen e politikave rinore përmes mjeteve teknike: (Qendrat Burimore Rajonale, Qendrat Rinore Informative)
MTKRS do t’i akordojë Agjencisë së ardhshme Kombëtare të rinisë detyrën informative qendrore dhe rajonale duke u mbështetur në “Paketën Bazë për Informimin e të Rinjve” përgatitur nga Këshilli i Evropës dhe Agjensia Evropiane për Këshillimin dhe Informimin e të Rinjve si dhe alokimin e fondeve për projektet e organizatave rinore; struktura ligjore për përzgjedhjen e projekteve dhe alokimin e granteve do të jetë në përqasje të plotë me rregulloret që drejtojnë Fondacionin Rinor Evropian të Këshillit të Evropës.
MTKRS do të lobojë për një regjim fiskal të favorshëm për OJQ-të rinore (përjashtimi nga taksa e shtuar, ulja e taksave mbi punët e krijuara) me synim nxitjen dhe zhvillimin e një rrjeti të gjerë organizatash rinore;
MTKRS do të nxisë nismën ligjore për shtyrje të kufirit të moshes së të rinjve në nevojë dhe atyre që përfitojnë mbështetje dhe kujdes publik;
MTKRS do të përfshihet në reflektimin e brendshëm mbi inputet aktuale dhe potenciale të minoriteteve në veprim ku konvergjenca e turizmit, kulturës dhe rinisë mund të rezultojë në punësim, kohezion dhe zhvillim të komunitetit.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) do të mbështes iniciativën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me vullnetarë të UN-it, Këshillin e Evropës, SALTO Youth në përcaktimin e kritereve për çertifikimin e kualifikimeve të trajnuesve të edukimit joformal në Shqipëri;
MASH dhe MTKRS angazhohen për njohjen zyrtare të kompetencave të Trajnuesve të trajnuar në edukimin joformal, bazuar në parimet e përcaktuara në Portofolin Evropian për Liderët dhe Punëtorët e Rinj, botuar nga Këshilli i Evropës: “Njohuri, aftësi, pikëpamje dhe vlera”;
MASH dhe MTKRS angazhohen për krijimin e një partneriteti më një vend evropian me traditë, eksperiencë dhe kapital të “praktikave të mira” në arsimimin joformal; një bashkëpunim i tillë duhet bërë me një marrëveshje bilaterale për sigurimin e asistencës dhe trajnimit të trajnuesve në edukimin joformal.
Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale (MPCSSHB) angazhohet në përkrahjen e legjislacionit që favorizon punësimin e të rinjve dhe organizatat që merren me të rinjtë e margjinalizuar/ të disfavorshëm dhe në reklamimin e këtyre masave;
MPCSSHB mbështet MTKRS për “të stimuluar” studimet mbi përfitimet e masave të përfshirjes sociale dhe shfaqjen e praktikës së mirë për përfshirjen sociale të të rinjve kudo që ata jetojnë; monitorim i përbashkët sigurohet nga të dyja ministritë;
MPCSSHB do të mbështesë inisiativën ligjore të MTKRS për shtyrjen e kufirit të moshes së të rinjve në nevojë të kujdesit publik qe përfitojnë mbështetje;
Ministria e Shëndetësisë do të kujdeset për kryerjen e studimeve dhe mbledhjes së të dhënave të sakta mbi shkallën e përhapjes së drogës, sidës dhe fenomeneve të tjera që ndikojnë në shëndetin e të rinjve, të cilat do të realizohen nëpërmjet INSTAT, studimit social, rrjetit të punonjësve social dhe çdo partneri tjetër të përshtatshëm.
*Kjo Deklaratë shoqërohet me Udhërrëfyesin e KiE për zbatimin e Rekomandimeve të Ekipit Rishikues të Politikave Rinore ne Shqipëri .
Me rastin e Ditës Botërore të Rinisë është menduar një aktivitet masiv sensibilizues, në të cilin të përfshihen të gjithë ato persona që e ndjejnë se kanë mundësi apo thjeshtë dëshirojnë të kontribuojnë në percjelljen e ketij mesazhi ne nje dite kaq të veçantë për shoqërinë dhe mbarë botën.
Ai do konsistojë në organizimin e një fushate sensibilizuese, ku protagonistët kryesore do të jenë të rinjtë e shoqatave anëtare të Unionit, por edhe te rinjte ne mbare vendin. Për këtë aktivitet është menduar që persona te veshur me bluza dhe kapela, në të cilat janë të stampuara mesazhe sensibilizuese dhe perkrahese, do të shperndajnë fletëpalosje kushtuar Ditës së Rinisë, do të zhvillohen konkurse dhe aktivitete nga më argetueset, do të ndahen cmime të ndryshme mes konkuruesve. Një vend të vecantë në progam zë edhe ndeshja e basketbollit që do të zhvillohet nga të rinjtë paraplegjike, koncerti i të rinjve artiste rom, ndeshja e futbollit per ekipin e vajzave, garat me kanoa, demonstrimi i ekipit të taekëon-do, demonstrim ciklistik, maratone etj.
Gjatë tërë perimetrit të eventit do të ketë xhonglire dhe klloune të cilet do te argetojne te ftuarit, pjesemarresit e eventit, kalimtare, prinder dhe femijet. Nuk do te mungojne larmishmeria e pijeve freskuese dhe specialitete të zgarës nga më të ndryshmet.
Por kjo do te jete vetem “hapja” e një eventi të madh. Për nder të të ftuarve dhe të gjithë pjesëmarrësve do të zhvillohet një koncert në “Amfiteatrin e Liqenit” ku drejtues të lartë të shtetit, ministrive, institucioneve shtetërore dhe organizatave ndërkombëtare do të percjellin mesazhet e tyre drejtuar pikërisht të rinjve lidhur me rolin dhe domosdoshmërinë e pjesemarrjes së tyre në fushat e arsimit, mjedisit, punësimit, shëndetësisë etj.
Mesazhet sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese që do të percillen do të jenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga Mjedisi si : “Rini e shëndetëshme në një mjedis të pastër” duke vijuar me mesazhet kundra përdorimit të drogës si : “Rini aktive, jo drogës” etj.
Axhendë
• Fillon : Demonstrimi i TAEKWON-DO: ora 19.00 – 19.15
• Futbolli i ekipit te vajzave: ora 19.15 – 19.45
• (Njekohesisht) Loje basketbolli Shoqata Paraplegjikeve: ora 19.00 – 19.45
• Gara me Kanoe: ora 19.50 – 20.00
• Maratona: ora 19.55 – 20.20
• Demonstrim Ciklistik: ora 20.00
• Koncerti: ora 20.30 – 22.00
• Vazhdimi i evenimentit nen tingujt e muzikes deri ne agim.