
Në datën 2 Janar 2013 Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve është njoftuar nga ana e kishës Ortodokse për dhunimin e Kishës së Shën e Premtes në fshatin Valsh në datë 30 duke u gdhirë 31 Dhjetor. Kjo kishe është një Monument Kulture i Kategorisë së Parë Shpallur si e tillë nga REKTORATI UNIVERSITAR SHTETËROR me vendimin Nr. 6 të datës 15.01.1963. Muret e kishës janë të pikturuara nga Onufri në vitin 1554 dhe pasqyrojnë skena të ndryshme biblike.
Një ekip i Ministrisë vajti në Valsh dhe mori kontakt me përfaqsuesin e Kishës Ortodokse të zonës së Komunës së Gjinarit dhe me Policinë e Rrethit Elbasan, kjo e fundit më datë 1 Janar ka vajtur në vendngjarje duke bërë dhe veprimet përkatëse dhe duke nisur një hetim mbi ngjarjen. Nga Policia e Elbasanit jemi bërë me dije se dosja menjëherë i ka kaluar Prokurorisë. Në këtë moment në zbatim të V.K.M Nr.917, datë 28.12.2011 PËR MIRATIMIN E PLANVEPRIMIT KOMBËTAR "PËR PARANDALIMIN DHE LUFTËN KUNDËR TRAFIKIMIT TË VEPRAVE TË ARTIT E TË KULTURËS" në bashkëpunim të plotë me të gjitha organet që kanë kopetenca të ndara brenda rrethit Elbasan ngritëm një Tryezë Teknike të posacme për monitorimin e ngjarjes. Kjo tryezë e kryesuar nga Prefekti i Qarkut Elbasan ka në përbërje të sajë, ekspertë policie, të Sherbimit Informativ Kombëtar, Ekspertë Monumentesh, përfaqësues nga pushteti lokal dhe nga përfaqësues të komunitetit. Ky komitet i posaçëm është në monitorim të plotë të situatës.
Në datën 3 Janar një përfaqësi e ministrisë dhe kishës ortodokse ka vajtur në vendgjarje dhe ka konstatuar dëmin e këtij akti vandal.
Nga inspektimi është konstatuar se:
Afresku është dëmtuar, goditur, prerë dhe shkulur në mënyrë të dhunshme dhe mekanike nga mjete të forta dhe persona të pa ndërgjegjshëm dhe të pa informuar mbi procesin e shkuljes apo heqjes së një pikture murale. Grabitja është bërë e fragmentuar dhe e fokusuar në pjesët e portreteve të shenjtëve kryesore të ikonografisë biblike.
Në tentativë për tu vjedhur por në pamundësi për tu shkulur ka qenë portreti tek figura e Shën Mërisë me Krishtin tek altari , portreti i figurës së Shën e Premtes (i cili është shenjti të cilit i është dedikuar kisha), shkrime të ndodhura në pjesën e brendeshme të altarit (ndër to është shkruajtur emri i piktorit të kishës Onufri), figura mbi nike, pjesë të portretit të dëmtuar të një shenjti në të majtë të absides (portreti i të cilit është dëmtuar gjatë shkuljes dhe është lënë i fragmentuar në kishë. Grabitja dhe humbja e këtyre fragmenteve të rëndësishme e ka dëmtuar pikturën nga ana artistike, vizuale, duke bërë të pakthyeshëm dëmin e kësaj pasurie të trashëgimisë kombëtare.
Pasi janë bërë të gjitha veprimet, dhe pasi është mbajtur një relacion teknik mbi dëmtimin grupi ka siguruar derën me duke e mbyllur atë me dy kyce dhe është larguar për tu kthyer në një moment më të vonë. Duke qenë se ky ka qenë një skenë krimi dhe duke qenë se ngjarja ka qenë në hetim sipër Ministria i ka krijuar të gjithë hapsirat e duhura policisë për ndjekjen e saj.
MTKRS bën me dije opinionin publik se ajo administron një territor të madh dhe një pasuri të madhe të trashëgimisë materiale. Ajo në sajë të organizmave të saj ruan dhe administron nga afër Parqe Arkeologjike, Muzeume, monumente etj. Duke qenë se numri i monumenteve të kultit është tepër i madh do të ishte praktikisht e pamundur te survejoheshin 24 ore ne 24 të gjitha këto monumente sic është sugjeruar nga disa këto ditët e fundit. Kjo do të kërkonte një numër shumë të madh njerëzish dhe një infrastrukturë të posaçme.
Si në rastin e Kishës së Valshit e cila përdoret nga komuniteti i besimtarëve për të kryer ritet e tyre, përgjegjësia e ruajtjes dhe përkujdesjes së këtyre monumenteve është sa shtetërore po aq edhe e komunitetit.
MTKRS ka investuar vetëm gjatë vitit 2012 në 9 (nëntë) objekte kisha dhe manastire monumente kulture në kuadër të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve vleren ë 27.6 milionë lekë. Theksojmë se këto fonde i janë dhënë njësive të qeverisjes vendore, pikërisht për të përforcuar lidhjen mes objekteve të trashëgimisë dhe njësive vendore e komunitetit të tyre. Investimet janë shtrirë në qarkun Fier, Gjirokastër, Korcë, Vlorë dhe Sarandë.