mtkrs_logo_al

Çelet Pavijoni i "Terrorit Komunist" në Muzeun Historik Kombëtar

news_im_pavijoni-i-genocidit

U çel sot pavijoni i “Terrorit Komunist” në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në përkujtim të datës 20 shkurt të vitit 1991, ditës së përmbysjes së bustit të diktatorit Enver Hoxha në Tiranë.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryeministri i Shqipërisë Z. Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Znj. Jozefina Topalli, Z.Aldo Bumçi, Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Z. Myqerem Tafaj, Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Z. Luan Malltezi, etj.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu nderimin më të madh për qëndresën, sakrificën, burrërinë, heroizmin e qindra e mijërave grave dhe burrave, të cilët u flijuan në atë sistem të egër, vetëm e vetëm se, njësoj si ne sot, ata besonin te Zoti, donin të flisnin të lirë dhe donin që vendi i tyre të ecte drejt Evropës. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi se 20 shkurti, data në të cilën studentët dhe qytetarët e Tiranës e të mbarë Shqipërisë, u përballën me një trimëri të pashoqe dhe përmbysën shtatoren e diktatorit, shënon de facto themelimin e opozitës shqiptare dhe gjunjëzimin përfundimtar të diktaturës hoxhiste në Shqipëri.

Ndërsa Ministri Bumçi në fjalën e tij theksoi se përtej vlerave që ky pavijon i sjell publikut vendas dhe të huaj, shtoi se do të vazhdojë puna për hapjen e muzeut të genocidit në ish hetuesinë e Shkodrës, muzeut të diktaturës në Spaç si dhe mbështetjen e çdo  iniciative që synon informimin e publikut mbi atë çka ndodhur në periudhën e diktaturës në Shqipëri.

Në fund të ceremonisë Kryeministri Berisha dhe personalitetet pjesëmarrëse, vizituan të gjitha stendat me foto, objekte dhe materiale të ndryshme që ilustrojnë periudhën e komunizmit, të ekspozuara në to.

 

Te Gjitha te Drejtat e Rezervuara. © 2010 Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve Rr. e Kavajës, Tiranë, Shqiperi, www.mtkrs.gov.al