
Me rastin e festimeve në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, si dhe 130 vjetorin e lindjes së F.S.Nolit, në datën 6 Janar 2012, një delegacion i MTKRS i kryesuar nga Z.Aldo Bumçi, morrën pjesë në vendosjen e bustit të F.S.Nolit në qytezën e tij të lindjes në Ibrik Tepe të Turqisë.
Gjatë kësaj vizite, Z.Bumçi u shoqërua nga Zv. Ministri Turk për Kulturën dhe Turizmin, Prefekti i Edirnesë, Kryetari i Bashkisë së Ibrik Tepe dhe Rektori i Universitetit të Trakës në Edirne.
Në takimin dhe gjate aktivitetit që u zhvillua për përurimin e përvjetorit të 130 të lindjes së F.S.Nolit Z. Ministër tha se vendosja e bustit nuk është vetëm një simbolikë kulturore , por ai përfaqëson një monument të vyer të kujtesës, harmonisë dhe marrëdhënieve shumë të mira ndërmjet dy vendevedhe popujve tanë. Z. Bumçi theksoi gjithashtu se rikthimi i Nolit ka një rëndësi të veçantë, pasi ai rrivjen sot nëpërmjet artit, cka nënkupton se ai sot rikthehet në përjetësi. “Janë pikërisht emra të tillë si ai i Theofan Stilian Nolit që me talentin, përkushtimin dhe vizionin e tyre, kanë përafruar shpirtërisht popujt dhe kulturat që ata përfaqësojnë,duke transmetuar vlerat më të qenësishme të traditës dhe trashëgimisë kulturore e shpirtërore, të cilat sot vlerësohen si pasuri e përbashkët e njerëzimit. Sot, në këtë përvjetor, në këtë vend, ne nuk vendosim vetëm një simbol të kulturës sonë, por një monument të vyer të kujtesës, harmonisë dhe vëllazërimit që karakterizon sot, jo vetëm dy vendet tona por edhe vlerat që përcjell e kaluara me të përbashkëtat dhe të veçantat ndërmjet popujve dhe kulturave tona. Dhe për këtë arsye, ne i përulemi me nderim e respekt këtij humanisti dhe misionari të madh të kulturës dhe civilizimit njerëzor”, përfundoi fjalën Ministri Aldo Bumçi.
Gjatë vizitës në Turqi, Ministri Bumçi u prit në një takim nga prefekti i Stambollit si dhe u takua me Presidentin e Shoqatës së Agjensive Turistike të Turqisë. Gjatë kësaj vizite Z. Bumçi shoqërohej nga shkrimtari i njohur Z. Nasho Jorgaqi, biograf i F.S Nolit si dhe skulptori i veprës Z. Andrea Demce.