
Pas Botërorit të Vrapimit në Mal dhe atij të Mundjes për Veteranë, një tjetër veprimtari e nivelit ndërkombëtar do të mbahet në Tiranë. Bëhet fjalë për matçin botëror të femrave në shah, që këtë vit vë përballë njëra-tjetrës, kinezen Hou Ji-fan dhe indianen Hampi Koneru. Ceremonia e hapjes është zhvilluar të dielën në mbrëmje, ndërsa ndeshjet nisin sot, për të përfunduar më 30 nëntor 2011.
Të dielën në mbrëmje është zhvilluar ceremonia e hapjes e botëror të femrave në shah dhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, ka theksuar në fjalën e tij përshëndetëse se “kjo finale e shahut botëror e konfirmon Shqipërinë edhe një herë si destinacion të veprimtarive madhore të kalibrit botëror”.
“Dua të shpreh këtu kënaqësinë që një finale kaq madhore e sportit botëror të zhvillohet në Tiranë dhe uroj që dy shahistet finaliste të na dhurojnë një duel të madh dhe interesant, - ka shtuar Bumçi. - Shahu është një sport i heshtur dhe i qetë, por pikërisht në këtë qetësi dhe heshtje zhvillohet një duel tejet intensiv, midis dy kundërshtarëve që respektojnë njëri-tjetrin.”
Ndërsa Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Z. Rezart Taçi, ka theksuar në fjalën e tij se shqiptarët “do të jenë dëshmitarë të një përballjeje të ëndërruar gjatë, një sfide midis dy prej shahisteve më të mira në botë”. “Emocionet e rralla të një gare të tillë, për herë të parë do të përcillen nga kryeqyteti i vendit tonë për të gjithë komunitetin botëror të shahut”
“Në të vërtetë do të doja që në tryezën e finales botërore të shahut të kishim një finaliste nga vendi im, - ka vijuar Taçi. - Mbetem me shpresë se në sfidat e ardhshme, kudo që ato të zhvillohen, në Moskë, Pekin, Paris, Nju Delhi, etj do të shohim një finalist nga Shqipëria. Kjo sigurisht është një dëshirë, por jo e pabazuar”,ka përfunduar Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Z. Rezart Taçi.
Ndërkaq, Presidenti i Federatës Botërore të Shahut, (FIDE-s), Kir-san Iljum-zhinov ka shprehur kënaqësinë e tij që kjo veprimtari organizohet për herë të parë në Shqipëri. Ai ka bërë të ditur se FIDE po shqyrton mundësinë për të nënshkruar një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit të Republikës së Shqipërisë, për promovimin e shahut në kurrikulat jashtëshkollore në vendin tonë.
Më pas është hedhur shorti dhe indiania Koneru do ta nisë përballjen prej 10 ndeshjesh me gurët e bardhë. Ndeshjet do të zhvillohen në Hotel “Tirana International” dhe do të fillojnë në ora 15:00, duke përfunduar në ora 19:00.