mtkrs_logo_al 

Bumçi: Tryeza e opozitës për Turizmin dhe realiteti i zhvillimit të këtij sektori

slide_im_bumci-konferenca

Përpara vitit 2005 për shkak të numrit shumë të ulët të vizitorëve në Shqipëri nuk mund të flitej për një sektor të turizmit në ekonominë shqiptare. Sot për shkak të një rritje marramendëse të numrit të vizitorëve mund të flasim për një industri turizmi si një sektor që kontribuon në ekonominë vendase.

1. Statistikave në fushën e turizmit

Z. Rama kërkon të zhvleresojë të dhënat për numrin e turistëve dhe vizitorëve, sepse në këtë mënyrë kthehet në një debat pa referenca, duke folur për mospërputhje të realitetit me shifrat zyrtare si dhe duke i krahasuar me të dhënat e të ardhurave nga turizmi të Bankës së Shqipërisë.

Të dhënat për hyrjet (dhe daljet) e turistëve dhe vizitorëve në territorin e Shqipërisë meren nga sistemi TIMS, parakusht për liberalizimin e vizave, i cili ofron të dhëna të plota dhe të detajuara duke lejuar bërjen e analizava dhe ndërtimin e politikave. P.sh. sistemi ofron të dhëna të përgjithshme dhe të detajuara për fluksin e përgjithshëm të vizitorëve, dhe si ndryshon gjatë vitit, gjithashtu si qëndrojnë këto të dhëna për vende specifike, cilat janë pikat kufitare që përdoren më shumë, sa vizitorë qëndrojnë disa ditë, sa janë turistë ditorë, cilat grup-mosha vizitojnë vendin etj. Të dhënat e vizitorëve që vijnë në vendin tonë janë lehtësisht të verifikueshme dhe të plota. Më poshtë po japin disa të dhëna:

4 001 000 vizitorë dhe turistë gjatë vitit 2011 në krahasim me 3 498 000 ne 2010 dhe 3 050 828 në 2009.

Vizitorë dhe turistë nga Kosova: 1 271 118 ne 2011, në krahasim me 1 179 327 ne 2010 dhe 674 214 në 2009.

Në vitin 2011 kanë hyrë:

77 451 shtetas gjermanë, 39% më shumë se në 2010 dhe 64 % më shumë se në 2009 kur kanë hyrë 47 240.

76 604 shtetas anglezë, 23% më shumë se në 2010 dhe 35% më shumë se në 2009 kur kanë hyrë 56 734.

30 620 shtetas francezë ose 19% më shumë se në 2010 dhe 58% më shumë se në 2009 kur kanë hyrë 19 342.

151 256 shtetas grekë, 34% më shumë se në 2010 dhe 53% më shumë se në 2009 kur kanë hyrë 98 919.

Këto të dhëna tregojnë qartë për një rritje të ndjeshme, mund të themi mbresëlënëse të numrit të vizitorëve të huaj në Shqipëri. Krahasimi që z. Rama bën me të ardhurat çalon në dy drejtime. E para, një fakt i mirënjohur nga të gjithë pushuesit është informaliteti në njësitë akomoduese: shumica dërmuese e shtëpive që jepen me qera, si dhe njësive të vogla akomoduese nuk janë të rregjistruara si rrjedhim nuk rregjistrojnë të ardhura. Z. Rama pranon që Thethi ka pritur me mijëra pushues, por sa prej tyre janë rregjistruar?! Pikërisht për këtë arsye Banka e Shqipërisë dhe INSTAT-I kanë ngritur një grup pune për të përmirësuar përllogaritjet e të ardhurave nga turizmi. E dyta, siç ka ndodhur dhe në vende të tjera kriza ekonomike botërore ndikon në shpenzimet e pushuesve por kjo nuk rrëzon numrat e pushuesve.

2. Propozimi i z. Rama për turizmin e integruar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës

Z. Rama deklaron se është shumë e rëndësishme që të mos e konceptojmë turizmin shqiptar si një turizëm të kufizuar nga kufiri i sotëm zyrtar mes Shqipërisë dhe Kosovës!!

Nëse kryetari i opozitës mendon se po shfaq një vizion të ri për turizmin kjo është për të ardhur keq  dhe duhet të pyesim se në cilin realitet jeton z. Rama?!

Ndërtimi i Rrugës së Kombit ka krijuar hapësirën shqiptare në rajon duke krijuar mundësi për shkëmbime dhe ndërveprime intensive në të gjitha drejtimet. Cili ka qenë qendrimi i z. Rama për Rrugën e Kombit është një fakt i mirënjohur nga të dyja anët e kufirit.  1 271 118 qytetarë nga Kosova vizituan Shqipërinë në 2011 në krahasim me 324 771 në 2008, përpara ndërtimit të rrugës. Por natyrisht burimet dhe vlerat turistike promovohen rregullisht nëpërmjet panaireve, siç ishte rasti i Panairit të fundit në Prishtinë, spoteve televizive, dhe aktiviteteve të përbashkëta.

3. Turizmi Malor

Z. Rama deklaron se asgjë nuk është bërë në këtë drejtim dhe se Thethi është një shembull spontan pa kontributin e Qeverisë.
Këshilltarët e z. Rama duhet ta kishin informuar se Ministria e Turizmit ndërmorri në vitin 2008 një fushatë të titulluar 40 Hanet, që përfshinte jo vetëm promovimin me anën e broshurave në shqip dhe anglisht, por dhe spoteve televizive, si dhe në bashkëpunim me GTZ (Gjermane) u mbështetën materialisht disa shtepi bujtëse për të përmirësuar kushtet e mikpritjes, u përcaktuan itineraret që do të përdornin turistët si dhe një pjesë e tyre u përfshi në sistemin GIS. Mbështetje është dhënë dhe në Valbonë dhe Qarkun e Kukësit.  Pra Thethi dhe Valbona të cilat janë shembujt me frymëzues të turizmit malor në vend kane nisur si projekte të mirëmenduara nga Ministria e Turizmit.

4. Promovimi i vendit

Shkurtimisht, Ministria ka një plan promovimi i cili është zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme:

Pjesëmarrja në panaire gjatë viteve të fundit.
Pjesmarrja në panairet e turizmit ka ardhur gjithnjë e në rritje: Marrim pjesë në panairet më të rëndësishme ndërkombëtare për turizmin në Londër, Berlin, Milano.

Pjesëmarrje në panaire të tjera ndërkombëtare për turizmin në Poloni, Çeki, Danimarkë, Finlandë, Hollandë, Maqedoni, Kroaci, Bari

Pjesëmarrje për herë të parë në panaire ndërkombëtare për
turizmin në Izrael, Vatikan, Bosnjë – Hercegovinë.

Pjesëmarrje në panairet për kapingun dhe transportin turistik në Esen, Këln dhe Dyseldorf, Gjermani

Ture informuese me Operatorë Turistikë dhe përfaqësues të mediave të huaja nga vende të ndryshme si: Japoni, Rusi, Poloni, Hungari, Gjermani, Bosnje – Hercegovinë, Kroaci, Maqedoni.

Është zhvilluar një fushatë e gjerë promocioni  për sektorin e turizmit përmes Spoteve promocionale.

Për herë të parë spoti promocional “Pasioni shqiptar”, në Qershor - Gusht në vitin 2007.

Spotet në rrjetet ndërkombëtare televizive në CNN dhe  EURONEWS. 

Spoti rajonal  “Shqipëria ime” transmetuar në Prishtinë dhe Shkup dhe transmetuar në rrjetet mediatike kombëtare: Top Chanel, TVSH, TV Klan. 

Spoti promocional i transmetuar në vende të ndryshme të Europës si: Çeki, Hungari, Bosnje - Hercegovinë dhe Serbi
Spoti i 40 haneve.

Botimet promocionale.
Materialet promocionale janë ripunuar e pasuruar nga viti në vit me informacione e broshura të reja në anglisht, japonisht dhe gjermanisht.

Albania Guide Turistike
11 itineraret kulturore dhe natyrore
10 turet e mëdha të Shqipërisë
40 hanet e Shqipërisë

5. Hartimi i Strategjisë ndërsektoriale për zhvillimin e turizmit dhe Plani Kombëtar

Ministria ka filluar procesin për hartimin e Strategjisë për periudhën 2013 – 2020 për të cilën ka mobilizuar asistencë teknike të huaj sipas specifikave të produkteve turistike, dhe po mobilizon burime për hartimin e Planit Kombëtar dhe përcaktimin e zonave me përparësi për zhvillimin  e turizmit.

Te Gjitha te Drejtat e Rezervuara. © 2010 Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve Rr. e Kavajës, Tiranë, Shqiperi, www.mtkrs.gov.al