Biblioteka, duke qenë në vetvete një koleksion librash, periodikësh, mikrofilmash, baza të dhënash apo mediash të ndryshme, përbën një institucion të rëndësishëm kulturor në shërbim të shoqërisë dhe një nga pjesët më vitale të sistemit botëror të komunikimit dhe edukimit.
Bibliotekat janë institucione kulturore dhe informuese, që realizojnë hyrje të lirë në informacion në cilëndo formë që ai të jetë depozituar. Ato grumbullojnë, ruajnë, përpunojnë dhe vënë në dispozicion të përdoruesve koleksionet e veta që përmbajnë informacion në shërbim të formimit të tyre.
Bibliotekat janë pjesë në sistemin kombëtar të informacionit.
Organizimi dhe funksionimi i bibliotekave në Republikën e Shqipërisë tashmë janë të mbështetura ligjërisht. Në shkurt të vitit 2000, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr.8576 "Për Bibliotekat në Republikën e Shqipërisë". Në kreun VI "Llojet e bibliotekave" përcaktohen konkretisht llojet e bibliotekave që përbëjnë rrjetin kombëtar të bibliotekave, pavarësisht nga forma e pronës dhe përkatësia institucionale, domethënë nga organi që e ka në varësi bibliotekën.
Bibliotekat, bazuar në funksionet, veprimtarinë dhe varësinë e tyre, pra organit që i ka në varësi, që i financon dhe ushtron kontroll për përdorimin e fondeve të dhëna për to, klasifikohen si më poshtë:
Biblioteka publike të bashkive dhe komunave
Biblioteka të veçanta ose të specializuara
Biblioteka universitare e të shkollave të larta
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve harton dhe ndjek zbatimin e strategjisë dhe politikave të zhvillimit në fushën e bibliotekave, në përputhje me politikën kulturore të shtetit shqiptar. Ajo orienton dhe mbikqyr veprimtarinë profesionale në të gjithë rrjetin bibliotekar të vendit. Në këtë kuadër rregullat, udhëzimet dhe urdhëresat që nxjerr kjo ministri janë të detyrueshme për të gjithë rrjetin e bibliotekave të vendit.