BE, 800 mije euro ne mbrojtje te se drejtes se autorit
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z. Aldo Bumçi mori pjesë në aktivitetin përmbyllës të organizuar nga Zyra Shqiptare për të Drejtën e Autorit (ZSHDA) dhe Human Dynamics Consortium, të Projektit të financuar nga BE, “Asistencë Teknike për forcimin e kapaciteteve të Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit”. Projekti, i cili do të operojë deri në fund të Shkurtit 2012 ofron 800 000 euro për të përmirësuar zbatimin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura në Republikën e Shqipërisë.
Ministri Aldo Bumçi gjatë prezantimit të tij shtoi se " Projektligji i ri për të Drejtën e Autorit e përafron plotësisht legjislacionin shqiptar me atë të BE-së,. Ai gjithashtu merr në konsideratë të gjithë situatën aktuale dhe kërkon zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare, të cilat kanë qenë efikase në vende të tjera dhe nga ana tjetër, jo vetëm në vendin tonë por edhe ne vende të tjera, kanë shkaktuar vështirësi në respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të. Aktualisht projektligji i ri për të drejtën e Autorit i është dërguar ministrive të linjës dhe përfundimi i kësaj skeme ligjore institucionale dhe fushat e ndërgjegjësimit na japin garanci që Shqipëria në një periudhë afatmesme të arrijë standartet e vendeve të Europës".
Aktiviteti u përshëndet edhe nga Z. Ettore Sequi, Ambasador i Delegacioni të Bashkimit Europian në Shqipëri.
Aktiviteti ishte konceptuar për të sjellë së bashku të drejtat e pronësisë intelektuale dhe grupet e ndryshme të interesit nga organet qeveritare dhe autoritetet e tjera shtetërore dhe juridike, ashtu si dhe përfaqësuesit nga agjensitë e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit, përdoruesit e produktit intelektual, mediat dhe OJF-të.