Gjatë periudhës Maj – Nëntor 2012, Shqipëria, për here të pare, do të kryesojë Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës. Në vijim të propozimit tonë dhe me mbështetje të autoriteteve më të larta të KiE-së u ra dakord për krijimin e një trojke Presidencash të Komitetit të Ministrave: Ukrainë, Britani e Madhe dhe Shqipëri të cilët përcaktuan prioritetet e përbashkëta të kësaj presidence:
• Reforma e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut;
• Forcimi i Demokracisë Lokale dhe Rajonale;
• Dialogu ndërkulturor, edukimi ndaj tolerancës, sfidat e të jetuarit së bashku.
Për sa më sipër, Institucionet shqiptare në nivel qëndror dhe lokal, kanë marrë përsipër zhvillimin e një numri të madh aktivitetesh dhe pikërisht Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të organizojë 5 prej tyre:
•
“Kampi i të rinjve për paqen” i KiE në kuadër të prioritetit të Kryesisë sonë mbi “dialogun ndërkulturor dhe edukimin për qytetarinë demokratike”. Pjesëmarrësit do të jenë të rinj me përkatësi të ndryshme entike e fetare nga vende që kanë përjetuar e vazhdojnë të përjetojnë konflikte ndërshtetërore e ndëretnike. Ky aktivitet organizohet prej vitesh në Strasburg dhe realizimi i tij, këtë vit, në Shqipëri do të kishte një impakt të madh politik e mediatik për vendin tonë me mesazhe mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për rajonin e më gjërë. Ky aktivitet do të organizohet javën e dytë të Shtatorit;
• Seminar mbi Politikat e Rinisë në Evropën Jug-Lindore “Mësimi jo formal dhe njohja e punës së të rinjve”. Në këtë seminar do të paraqiten rezultatet e studimeve të fundit mbi politikat rinore, do të prezantohen strategjitë rinore evropiane si dhe do të vlerësohet impakti i politikave rinore duke zbatuar shembujt e tyre në vendet e BE dhe KE. Pjesëmarrësit do të jenë të rinj me përvojë në fushën e rinisë, liderët e rinj dhe profesionistë të tjerë dhe/ose përfaqësues të autoriteteve rinore në nivel kombëtar dhe lokal për të nxitur një qasje pjesëmarrëse në zbatimin dhe zhvillimin e politikave rinore. Ky seminar do të organizohet në datën 2-3 Tetor 2012, në Tiranë;
• Seminar me përfaqësues nga vendet e Ballkanit me temë “Forcimi i partneritetit publik me atë privat për ngritjen e infrastrukturës sportive” me objektiv jo vetëm përmirësimin e planifikimit dhe zhvillimit të infrastrukturës sportive, por edhe përmirësimin e menaxhimit të saj. Pjesëmarrësit do të jenë zyrtare të administratave publike, menaxherë të objekteve sportive në nivel rajonal si dhe përfaqësues të organizatave sportive që mbështesin zhvillimin e infrastrukturës sportive. Ky seminar do të organizohet në datën 26-27 Qershor 2012, në Tiranë;
• Takimi vjetor i Dimensionit Fetar të Dialogut Ndërkulturor të KiE me fokus “Rinia në dimensionin fetar të dialogut ndërkulturor dhe roli i mediave të reja sociale”. Në këtë takim do të diskutohet për tema si: respekti i ndërsjellë bazuar në vlerat themelore të Këshillit të Europës, rëndësia e solidaritetit dhe kohezioni social; roli i familjes dhe mësuesve; rritja e rëndësisë dhe rolit të mediave të reja. Pjesëmarrësit në këtë takim do të jenë përfaqësuesit më të lartë të Grupit të Reporterëve për të Drejtat e Njeriut; Grupit të Raporterëve për Arsimin, Kulturën, Rininë dhe Ambjentin; të Sekretariatit të KiE; përfaqësues të lartë të Komuniteteve të ndryshme Fetare të vendeve anëtare të Këshillit të Europës; pedagogë; përfaqësues të rinisë fetare dhe shoqërisë civile, etj., të Strasburgut; të organizatave ndërkombëtare si OSBE, UNESCO... etj. Ky takim do të organizohet në datat 2-4 Shtator 2012, Hotel Adriatik, në Durrës;
• Konferencë mbi Bashkëpunimin Rajonal të Këshillit të Evropës në fushën e Trashëgimisë Kulturore, në kuadër të vënies në zbatim të programit të saj rajonal nga viti 2003. Konferenca mund të fokusohet mbi “Procesin e Lubljanës për rehabilitimin e trashëgimisë” dhe /ose mbi “Projekte pilot për zhvillimin Rajonal”. Në këtë Konferencë do të ftohen Koordinatorët Kombëtarë të Programeve Rajonale për Trashëgiminë Kulturore dhe Natyrore në Evropën Jug-Lindore (përfaqësues nga Ministritë e Kulturës); përfaqësues nga Drejtoritë që mbulojnë organizatat ndërkombëtare në Ministritë e Punëve të Jashtme të vendeve të EJL, përfaqësues nga organizata të tilla si OSBE, UNESCO, RCC (Regional Cooperation Council) dhe iniciativa të tjera rajonale, si dhe përfaqësues të vendeve Evropiane, të cilët kanë mbështetur Programet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore në vendet e EJL (Belgjika, Franca, Hungaria, Italia, Sllovenia, etj). Konferenca do të organizohet në datat 28-29 Shtator 2012, në Durrës, Hotel Adriatik.
Në vazhdim, do të informoheni më konkretisht për secilin aktivitet.
Për t’u informuar në lidhje me të gjitha aktivitetet qe po organizohen nga institucionet shqiptare në kuadër të Kryesisë së këshillit të Europës, klikoni në linkun e Ministrisë së Punëve të Jashtme:
http://www.mfa.gov.al/index.php?option=com_content&view=section&layout=blog&id=28&Itemid=99&lang=sq