mtkrs_logo_al 

93- vjetori i Kongresit të Lushnjës, ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar

news_im_kongresi-i-lushnjes

Në nderim të 93- vjetorit të Kongresit të Lushnjës, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Muzeun Historik Kombëtar, çelën një ekspozitë me foto dhe dokumente të kësaj ngjarje të rëndësishme historike, me titull "Kongresi i Lushnjës dhe Shteti Shqiptar".

Në ekspozitë ishin të pranishëm, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z. Aldo Bumçi, Drejtoresha e Pëgjithshme e Arkivave Znj. Nevila Nika, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Z. Luan Malltezi si dhe Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Z. Aurel Plasari.

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z. Aldo Bumçi gjatë përshëndetjes së rastit tha se kjo ngjarje e rëndësishme e shtetit shqiptar është lënë në harresë nga rregjimi komunist.
Një nga vendimet më të rëndësishme të Kongresit të Lushnjës janë krijimi i Bibliotekës Kombëtare dhe Shpallja e Tiranës kryeqytet, tha Ministri Bumçi.
Gjithashtu ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi tha se ishte e vështirë që të gjendeshin materiale historike për këtë ngjarje, botime që do të ekspozoheshin. “Kjo është shenjë e lënies në harresë të ngjarjen së dytë më të rëndësishme pas shpalljes së Pavarësisë, në një periudhë më të vështirë se ajo e vitit 1912-të”, tha Bumçi. Ministri shprehu edhe njëherë opinionin se lind nevoja për një rishikim të historisë, nisur nga botimet e regjimit komunist që e deformojnë atë. “Në fund të muajit që vjen do të vendoset në Lushnje edhe Monumenti i Kongresit të Lushnjes, një nga projektet e rëndësishme të 100-vjetorit”, shtoi ministri Bumçi.

Ekspozita përmban:
 1.  Foto të ralla  ( riprodhime)  dhe dokumente  nga punimet e Kongresit të Lushnjes me 1920  dhënë nga Arkivi i Shtetit ( rreth 30 – 40 foto dhe dokumente)
2.  Bashkia e Tiranes  ka  sjellë dhe ekspozuar  28 foto  që prezantojnë zhvillimin e Tiranës pas shpalljes kryeqytet.
3.  Ka relike origjinale  të Kongresit të Lushnjës, ( vula e pena e Kongresit, flamuri i tavolinës ku është nënshkruar akti zyrtar si dhe një vulë e Komitetit për Mbrojtjen e Tepelenës si dhe kama dhe bastuni I Aqif Pashë Elbasanit; 
4.  Dokumente origjinale të gazetës zyrtare  me aktet  zyrtare, sjellë nga Biblioteka Kombetare;

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datën 27 janar 2013.
 

 

Te Gjitha te Drejtat e Rezervuara. © 2010 Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve Rr. e Kavajës, Tiranë, Shqiperi, www.mtkrs.gov.al