Ministria e Turizmit Kultures Rinise dhe Sporteve
  • Print
  • |
  • Mbyll

Biblioteka Kombëtare

Biblioteka Kombëtare është institucioni bibliotekar kryesor i vendit dhe njëherësh qendër studimore shkencore. E themeluar që në 10 dhjetor 1920 dhe e përuruar më 1922, ajo është biblioteka kryesore e vendit tonë. Me rastin e 80-vjetorit të krijimit të saj, Presidenti i Republikës i dha titullin e lartë "Nderi i kombit".

Si bërthamë e BKSh-së shërbeu fondi i i bibliotekës së "Komisisë Letrare Shqipe", organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, e krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917. Më 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit, Tiranë. Në momentin e përurimit si BKSh, 1922, ajo kishte rreth 6000 vëllime. Në vitet e Mbretërisë Shqiptare (1928-1937) spikat puna e drejtuesit, atdhetarit dhe lëvruesit të gjuhës shqipe, Sotir Kolea. Mbarimi i luftës II Botërore e gjeti BKSh me një koleksion prej 15.000 vëllimesh. U vendos në një nga ndërtesat më të mira të kohës., sot "aneks" i saj. Në fund të vitit 1947 fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime. Ngjarje me rëndësi për BKSh, ishte dalja më 31.05.1948 e dekretit "Mbi dërgimin e detyrueshëm të shtypshkrimeve Bibliotekës Kombëtare", sipas të cilit asaj i dërgoheshin falas një numër ekzemplarësh të çdo shtypshkrimi të vendit. Ky dekret është ndryshuar e plotësuar disa herë; varianti i fundit është ai i vitit 1992, sipas të cilit botuesit detyrohen t'i dërgojnë BKSh nga 5 kopje të çdo botimi të tyre.

Nga institucion në varësi të Institutit të Shkencave, në vitin 1959 BKSh kaloi në vartësi të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Në vitin 1966 ajo u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës, ku gjendet edhe sot.

BKSh financohet nga shteti. Organizimi dhe funksionimi i saj bëhet nën autoritetin e MTKRS. BKSh ruan në fondin e saj materiale të ndryshme, duke filluar që nga dorëshkrimet e deri te mediat moderne. Si e tillë, kjo bibliotekë ka një sërë funksionesh.

Është institucioni depozitues i kopjes së detyruar, ku përfshihen të gjitha llojet e informacionit, pavarësisht formës së regjistruar, duke krijuar e pasuruar arkivin kombëtar;

BKSh grumbullon, pasuron, përpunon, ruan dhe vë në shërbim të përdoruesve botimet në gjuhën shqipe si dhe në gjuhë të huaj që përmbajnë informacion për Shqipërinë, kombin shqiptar dhe përbëjnë koleksionin albano-balkanologjik.

BKSh grumbullon, pasuron, përpunon, ruan dhe vë në shërbim të përdoruesve koleksione të literaturës botërore të karakterit të përgjithshëm.

BKSh është qendra e përgatitjes dhe e shërbimit të informacionit bibliografik kombëtar. Këtu botohen bibliografia kombëtare si dhe bibliografi korrente e retrospektive të llojeve të ndryshme. Këtu kryhet katologimi i librave për botim.

BKSh realizon formimin dhe kualifikimin profesional të punonjësve të të gjithë rrjetit kombëtar të bibliotekave. Ajo shërben si një qendër e studimeve në fushën e bibliotekonomisë, bibliografisë dhe të shkencës së informacionit dhe punon për zhvillimin e këtyre fushave. Pranë BKSh funksionon edhe Qendra e Trajnimit Bibliotekar. Nga viti 1969 ajo organizon rregullisht një kurs dyvjeçar për aftësimin profesional, i cili është i vetmi në vend për dhënien e njohurive bibliotekare e të informacionit. Që prej vitit 1999 BKSh ka ngritur Qendrën e Trajnimit Bibliotekar, të mbështetur edhe nga Fondacioni SOROS. Programi i kësaj Qendre përfshin kurse trajnimi për punonjësit e tërë rrjetit të bibliotekave të vendit dhe ajo funksionon si shkollë për studimet pasuniversitare, për bibliotekarët që kanë mbaruar kursin dy-vjeçar të bibliotekonomisë, ose janë rekretuar pas përfundimit të universitetit apo shkollave të tjera të larta.

BKSh është qendra metodike për zbatimin e standardeve në tërë veprimtarinë bibliotekare.

BKSh është qendër e restaurimit të materialeve bibliotekare, të cilat janë klasifikuar si trashëgimi kulturore dokumentare.

Që nga viti 1997 pranë BKSh është krijuar dhe funksionon zyra e ISBN (International Standard Book Number-Numër Standard Ndërkombëtar i Librit) për botimet shqip.

Drejtor: Prof.Dr. Aurel Plasari

Kontakte:

BIBLOTEKA KOMBËTARE
Adresa: Sheshi "Skënderbe", Tiranë
Tel: +355 4 2223843
Fax: +355 4 2223843
website: www.bksh.al

Për të shkarkuar dokumentin e plotë, klikoni këtu

© Të gjitha te drejtat e rezervuara Emri i aplikimit